​Rritet vdekshmëria në aksidentet rrugore, shoferët shkaktarë në shumicën e rasteve në Shqipëri

Instituti i Statistikave (INSTAT) në Shqipëri ka publikuar një botim të veçantë mbi treguesit kryesorë të sigurisë rrugore për vitin 2025. Sipas këtij botimi, në vitin 2025 janë regjistruar 1 mijë e 375 aksidente rrugore, prej tyre kanë rezultuar 1 mijë e 913 persona të përfshirë në aksidente. Sipas INSTAT, krahasuar me vitin 2024, numri…

Lajme

13/10/2026 12:10

Instituti i Statistikave (INSTAT) në Shqipëri ka publikuar një botim të veçantë mbi treguesit kryesorë të sigurisë rrugore për vitin 2025.

Sipas këtij botimi, në vitin 2025 janë regjistruar 1 mijë e 375 aksidente rrugore, prej tyre kanë rezultuar 1 mijë e 913 persona të përfshirë në aksidente.

Sipas INSTAT, krahasuar me vitin 2024, numri i të vdekurve është rritur me 14.3 për qind.

Nga këto shifra, aksidentet në 87,9 për qind prej rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit dhe 12,1 për qind si pasojë e sjelljes së këmbësorëve.

INSTAT tregon se këto aksidente janë shkaktuar prej drejtuesve të mjeteve me mbi 9 vite leje drejtimi në 49,2 për qind prej tyre, derisa ata që kanë 0–3 vite leje drejtimi shkaktuan ato në 16,3 % të rasteve.

Ndër të aksidentuarit (të vrarë dhe të plagosur) gjatë tre viteve të fundit, meshkujt zënë 68,7 % të të aksidentuarve gjithsej.

Mes tjerash, shoferët e grupmoshës 25–34 vjeç kanë shkaktuar numrin më të lartë të aksidenteve rrugore në vitin 2025. Ndër personat e aksidentuar në këtë grupmoshë, 70 për qind janë meshkuj dhe 30 për qind femra.