Rritet rreziku i fëmijëve për të rënë ndesh me ligjin

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF ka publikuar sot hulumtimin e quajtur “Mos më mbyll derën, jam vetëm një fëmijë”, analizë mbi mbrojtjen e fëmijëve në rrezik për të rënë në konflikt me ligjin dhe fëmijëve në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale (nën 14 vjeç).

Lajme

03/03/2015 16:46

Presidentja e këtij koalicioni të OJQ-ve, Blerta Perolli – Shehu prezantoi qëllimin dhe të gjeturat e hulumtimit, duke bërë të ditur se ka një trend të rritjes së numrit të fëmijëve me sjellje asociale dhe në rrezik për të rënë në konflikt me ligjin, si dhe fëmijëve që kanë rënë në konflikt me ligjin, por që nuk kanë përgjegjësi penale, do të thotë janë nën moshën 14 vjeç.

KOMF për hartimin e këtij raporti ka analizuar legjislacionin, përcaktimin gjeografik, ka realizuar intervista me fëmijë dhe prindërit e tyre, si dhe përfaqësues të institucioneve që i mbrojnë ata.

Perolli-Shehu po ashtu tha se praktikat tregojnë se shërbimet që u jepen fëmijëve në raste të tilla janë të pamjaftueshme dhe shpesh jo efikase në parandalimin, mbrojtjen dhe ri-integrimin e tyre.

Në lansimin e kësaj analize mori pjesë edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili i dha mbështetje rekomandimeve të dala nga raporti i KOMF si dhe u zotua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.