Rritet numri i rasteve ditore me koronavirus në Kosovë, paralajmërohet përkeqësim i situatës

Sot në Kosovë ka pasur një numër më të madh të rasteve të reja me koronavirus.

Lajme

19/02/2021 23:29

Gjatë 24 orëve të fundit janë paraqitur 340 raste të reja nga gjithsej 2715 mostra të testuara të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, shkruan lajmi.net.

Përveç kësaj, edhe 411 pacientë e kanë fituar betejën me COVID-19 brenda këtij 24 orëshi.

Shqetësuese është fakti se brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar 10 raste të vdekjes.

Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (67, 80, 55 vjeç), Prizren 2 raste (54, 46 vjeç), Rahovec 2 raste (76, 52 vjeç), Ferizaj 1 rast (72 vjeç), Gjakovë 1 rast (81 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (58 vjeç).

Numri total i rasteve pozitive në Kosovë që nga fillimi i pandemisë është 65,690 raste nga 280,071 persona të testuar.

Numri i personave të cilët janë shëruar deri më sot është 57,385 raste ndërsa aktualisht raste aktive me COVID-19 janë 6737.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka parashikuar rritje të numrit të infeksioneve të reja me COVID-19 në Kosovë.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka theksuar se moskujdesi i partive politike gjatë fushatës zgjedhore së bashku me trendin e rritjes së infeksioneve të reja në Evropë do të sjellë rritje të rasteve edhe në vendin tonë. /Lajmi.net/