Rritet borxhi i jashtëm i Shqipërisë
Borxhi i jashtëm i qeverisë u rrit me 425 milionë euro ose mbi 18 për qind në harkun kohor të një viti, duke shënuar një nga rritjet më të forta gjatë viteve të fundit.

Lajme
Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të dytë, borxhi i jashtëm publik arriti në 2 miliardë e 807 milionë euro nga 2 miliardë e 383 milionë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas bankës, rritja i dedikohet kredive që Shqipëria ka marrë nga institucionet ndërkombëtare të financave si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Sapo erdhi në pushtet, qeveria e majtë kontraktoi nga këto dy institucione një paketë emergjente kredish me mbi 600 milionë euro, para të cilat sipas saj ishin të nevojshme për të shlyer borxhet e prapambetura që la qeveria e mëparshme.
Aktualisht borxhi i jashtëm përbën rreth 42.6 për qind të totalit të borxhit publik të vendit, ose i shprehur si raport ndaj prodhimit kombëtar, rreth 29.1 për qind.
Vitet e fundit financimi me kredi nga jashtë është parë si një mënyrë e mirë për të siguruar valutë, por edhe për të financuar ekonominë pa prekur burimet e brendshme.
Por rritja e tij e ekspozon ekonominë përballë dy rreziqeve: kursit të këmbimit dhe riskut të rifinancimit. Vitin e kaluar vetëm për shkak të dobësimit të lekut, veçanërisht ndaj dollarit, borxhi i vendit u rrit me 9.6 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme e borxhit të marrë nga jashtë ka rritur edhe pagesat që shkojnë për shërbimin e tij.
Vitin e kaluar buxheti pagoi 26 miliardë lekë, ose mbi 200 milionë dollarë për të shlyer borxhin e jashtëm, nga të cilat 17.8 miliardë lekë ishin shlyerje të kredive që janë marrë në vitet e mëparshme, ndërsa 8.2 miliardë lekë ishin interesa./T.Ch.