“Rrini gati”, veteranët paralajmërojnë mobilizim për protesta nëse nuk përfshihen në pagë minimale
Nënkryetari i OVL-UÇK, Faton Klinaku, ka njoftuar se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare po kërkojnë protesta, në rast të mos përfshirjes së tyre në projektligjin e pagës minimale.

Lajme
Klinaku, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se në të njëjtin rrjet social po merr mesazhe nga veteranët për protesta, duke kërkuar mobilizim nga ana e tyre në rast të mos-përfshirjes në projektligj, shkruan lajmi.net.
“Veteranët që po më shkruajnë e po kërkojnë protesta, iu them që të rrijnë gati kurdo që ne i thërrasim për protestë. Për këtë po bëjmë takime me degë”, bëri të ditur ai.
“Sa i përket ndryshimit të ligjit që po përpiqet ta bëjë ky koalicion i papërgjegjshëm qeveritar, me anë të të cilit po do që t’i shkëpus pensionet nga lidhja me pagën minimale, ju them veteranëve se nëse rastësisht e bëjnë është vetëm miratimi i leximit të parë, dhe para se ata ta bëjnë leximin e dytë ne duhet që masovikisht të dalim e t’i bllokojmë”, ka thënë më tej Klinaku.
Ai ka thënë se do të shfrytëzojnë edhe instancat ligjore në rast se ndodh mos-përfshirja e tyre në projektligj.
Projektligji për çështjen e pagës minimale sot u hodh në votim në Kuvend, por nuk pati votat e duhura që të kalojë. Njëri nga ata që nuk pranuan të votonin për këtë projektligj ishte deputeti i mazhorancës, Fatmir Humolli. I njëjti tha se këtë e bëri për shkak të, siç e quajti ai, mosrespektit ndaj veteranëve.
“Arsyeja mosrespektimi i veteranëve të luftës”, deklaroi ai. /Lajmi.net/