Rrëzoji krejt

Ministri Dardan Gashi merr mbështetje nga Ambasadori Ian Cliff për aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje në Prevallë. Ai përmendi rëndësinë e mjedisit, si kusht për integrimin europian.

Lajme

27/11/2013 15:00

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka marrë mbështetje nga Britania e Madhe për aksionin e nisur të prishjes së ndërtimeve pa leje në Prevallë.

Ministri Gashi është takuar sot me Ambasadorin Britanik në Kosovë, Ian Cliff, i cili, sipas komunikatës së MMPH’së, edhe një herë garantoi mbështetjen e parezervë nga vendi i tij “për zhvillimet e fundit pozitive që ka ndërmarrë kjo Ministri”.

“Ai edhe një herë përmendi aksionin e MMPH në Prevallë dhe tha së është i kënaqur me vendosmërinë e Kosovës për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit”.

“Ambasadori Cliff tha se për nga ana mjedisore, Kosova do të duhet të tregojë përkushtim më të madh, duke përmendur se kjo fushë është edhe një ndër kushtet kryesore për integrim europian. Veçanërisht, Cliff përmendi mbetjet industriale në miniera të ndryshme të Kosovës, dhe kërkoi që në vazhdën e ndërmarrjes së aksioneve nga MMPH për zbatimin e ligjeve, të merret parasysh edhe ky kërcënim mjedisor”, thuhet në komunikatën e MMPH’së.