Rrëzimi i Qeverisë, ekspertët: Nuk është kohë e përshtatshme për zgjedhje

Opozita është e vendosur se do të iniciojnë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë ku presin të rrëzohet qeveria, të shpërbëhet Kuvendi dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Lajme

23/05/2019 21:40

Por, sa është e mundur të ndodh një gjë e tillë dhe sa është e gatshme Kosova për zgjedhje të jashtëzakonshme?

Ekspertët kanë vlerësuar se nisma e opozitës nuk do të realizohet, por gjithashtu janë shprehur se Kosova nuk është në situatë të përshtatshme për të shkuar në zgjedhje, shkruan lajmi.net.

Njohësi i proceseve politike dhe analisti Ramush Tahiri është shprehur për lajmi.net se partitë opozitare nuk do të arrijnë t’i sigurojnë votat për rrëzimin e Qeverisë.

“Unë nuk mendoj se bëhen votat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj sepse VV, PSD dhe LDK, nëse bëhen bashkë në rastin më të mirë i kanë 56 vota, do të thotë iu duhen edhe vota të tjera, shembull Lista Serbe, e që Vetëvendosje dhe PSD nuk dëshirojnë bashkëpunimin me ta për rrëzimin e qeverisë. Kjo nënkupton se është e pamundshme të rrëzohet qeveria në këto kushte. Unë po habitem pse nuk po iniciohet procedura dhe të bëhet debat për rrëzimin e qeverisë dhe të denoncohen raste që të tregojnë ku është problemi dhe të krijohet opinion anti-qeveri nëse kanë argumente. Për të iniciuar këtë, ata i kanë 44 vota që të fillohet procedura në Kuvend dhe të futet në rendin e ditës”, tha Tahiri për lajmi.net.

Tahiri gjithashtu është shprehur se deputetët nuk do të pajtohen të rrëzohet qeveria për shkak të mandateve të tyre, duke shtuar se koha e verës nuk është e përshtatshme për zgjedhje.

“Tjetra, nuk besoj që deputetët pajtohen me e rrëzu qeverinë sepse është njerëzore dhe praktike, deputetët i bëjnë dy vite në qershor dhe pastaj iu numërohet mandati i plotë dhe deputetët të cilët nuk punojnë diku tjetër, marrin pagë edhe një vit pas kësaj kohe. Në anën tjetër, Kadri Veseli është shprehur se nuk është i rrëzuar të rrëzoj qeverinë Haradinaj. Gjithashtu, zakonisht në këtë kohë, para pushimeve nuk mbahen zgjedhjet, sepse nuk mund të organizohet koalicioni që të krijohet qeveria”, tha Tahiri për lajmi.net.

Tahiri e sheh si problematike rrëzimin e qeverisë Haradinaj në këtë situatë, në valën e takimeve të liderëve kosovarë me liderët e vendeve të BE-së.

“Gjithashtu, tani është takimi me Merkelin dhe Macronin në të cilin do të marrë pjesë Haradinaj, dhe do të ishte furtunë të rrëzohet kryeministri para ose gjatë takimit atje. Do të ishte e pandershme dhe jo-praktike edhe për vet kryeministrin por edhe për ata që e iniciojnë këtë procedurë. Gjithashtu është me 1 korrik takimi në Paris, ku do të marrë pjesë Haradinaj ose grupi negociator që është zgjedhur dhe propozuar nga Qeveria dhe kjo është pengesë që të rrëzohet qeveria”, tha Tahiri për lajmi.net.

Në fund, Tahiri tha se Kosova nuk ka lluks të shkojë në zgjedhje kur nuk shihet ndonjë alternativë as tek partitë opozitare.

“Plus është fakti që a ka Kosova lluks që Kosova të shkojë në zgjedhje, kur nuk shihet ndonjë alternativë. Nuk po e shoh as Vetëvendosje e as LDK po ofrojnë diçka më mirë sesa qeveria aktuale, përkundrazi, Haradinaj po tregon një dinjitet në raport me Serbinë”, tha Tahiri.

E në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu është shprehur se është shqetësuese fakti i situatës politike të krijuar në Kosovë.

Ai tha se përveç se ekonomia dhe integrimet janë në pikën zero, shqetësues është edhe diskursi i politikanëve kosovarë.

“Situata e krijuar politike dhe ky ngërç i krijuar me të cilin po ballafaqohet Kosova vërtetë e sjell shtetin në pozitë të palakmueshme. Ne e shohim një barrikadim të pozitës dhe opozitës, mirëpo ajo çka është efekt negativ në këtë tërësi, janë proceset ekonomike në pikën zero, proceset integruese në pikën zero dhe kur e dëgjojmë diskursin e komunikimit mes politikanëve kosovarë dhe atyre evropianë, fitohet përshtypja se Evropa do të integrohet në Kosovë dhe jo Kosova në Evropë”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Ai tha se zgjedhjet do t’i kushtonin Kosovës shumë ekonomikisht, duke marrë parasysh se rezervat shtetërore janë të shpenzuara.

“Në këtë drejtim, besoj që përkundër kostos, Kosova duhet të fillojë të marrë frymë lirshëm dhe të vijë një qeveri që ekonominë do ta ketë prioritet. Jam i mendimit që kostoja do të jetë shumë e madhe sidomos kur dihet që rezervat shtetërore janë të shpenzuara”, tha Gërxhaliu.

I pyetur nëse do të ishte problematike për ekonominë e Kosovës zgjedhjet e reja, ai tha se kjo do të ishte definitivisht një goditje e madhe.

“Definitivisht, kemi rënie të investimeve, kemi rritje të shkallës së korrupsionit dhe rritje të shkalles së papunësisë, migrim i pakontrolluar dhe humbje e besimit në institucionet e vendit, kjo vërtetë për ekspertë që e njohin funksionimin e shtetit, situata është mjaftë shqetësuese”, tha Gërxhaliu në fund.

Gjithashtu, sot në mëngjes janë takuar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ku u tha se janë pajtuar për rrëzimin e qeverisë.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Naser Rugova për lajmi.net ka thënë se për sigurimin e votave të mjaftueshme do të kërkojnë ndihmën e deputetëve të koalicionit qeverisës. /Lajmi.net/