Rrethrrotullimi në Veternik do të jetë gati në maj

Shpend Ahmeti thotë se rrethrrotullimi në Veternik do të përfundojë në muajin maj. Konstaton se të gjitha procedurat janë përmbyllur dhe se është duke e pritur vetëm planin për rrënimin e pompës së benzinës “Kosova Petrol”.

Lajme

04/02/2014 17:46

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është shprehur i bindur se rrethrrotullimi që lidh Veternikun me qendrën e qytetit do të jetë në funksion në muajin maj.

Ahmeti këto deklarata i bëri sot gjatë prezantimit të raportit për të gjeturat në Drejtorinë e Infrastrukturës.

Ai tha se tashmë janë përmbyllur të gjitha procedurat dhe pas konsultimeve me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifkimit Hapësinor, do të vazhdojë me planin për rrënimin e pompës së benzinës “Kosova Petrol”.

“Rrethrrotullimi në Veternik është çështje e kryer, tashmë janë përfunduar të gjitha procedurat. Unë kam kërkuar planin e rrënimit nga kompania “Beni Com” e cila është përgjegjëse”.

“Në momentin që e marrë planin e rrënimit sepse kemi të bëjmë me pompë të benzinës, e cila ka edhe efekte mjedisore në konsultim më Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, vazhdojmë me planin e rrënimit”.

“Besoj dhe shpresoj që kjo në fillim të javës së ardhshme ndoshta edhe nga fundi i kësaj jave përfundon dhe Hyseni si drejtor i Infrastrukturës është në diskutime me kompaninë për orarin dhe planin e punës”.

“ Unë jam shumë i bindur se në muajin maj do ta kemi rrethrrotullimin në funksion dhe nuk do të ketë më  pengesa dhe ndalesa”, tha Ahmeti.