Rreth tragjedisë së përbashkuar  

Vlerat e përbashkëta, që duhet të stabilizohen në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk duhet të presin vetëm sfidat e këtilla të rrezikshme që të shfaqen me gjithë shkëlqimin e tyre.

Lajme

27/11/2019 15:19

Shkruan: Blerim Shala

 Fatkeqësi. Tragjedi. Tmerr.

Pamjet me tipare të kësisojta, që në trajtën e një termeti rrënues u shfaqën ndër shqiptarët e dy shteteve, të Shqipërisë dhe të Kosovës, këtë të martë, me 26 nëntor, vetëm dy ditë para se të shënohej Dita e Flamurit  (28 nëntori), na bënë bashkë, si rëndom, më shumë se gjithçka tjetër.

Rrëfimi i madh dhe i njohur historik për 28 nëntorin e vitit 1912-të, i cili rikthen në skenë atë rrugëtimin e njohur të krye-emrave politik të shqiptarëve të asaj kohe, i cili për shkaqe të njohura për të gjithë ne, nuk arriti atëbotë ta bëjë një shtet me një komb dhe me një hartë gjeografike, kësaj here u zëvëndësua me një kallëzim të dhimbshëm.

Do të del që krenaria e të kuptuarit çfarë jemi, apo, thënë më mirë, çfarë mund të jemi  (kur duam), është veçori e përbashkët në te dy këto raste: Atë të 28 nëntorit të para një shekulli dhe këtë të 26 nëntorit të këtij viti.

U treguam të jashtëzakonshëm në solidaritetit që treguam për njeri-tjetrin.

U dëshmuam  (sërish), se sa të organizuar dimë të jemi, kur thuaja gjithçka varet nga ai delli i ynë i një reagimi spontan, që vlonë nga ndjenjat dhe nga vullneti për t’i ndihmuar njeri-tjetrit.

Dikujt mund të jetë dukur e tëra një befasi e madhe, çfarë ndodhi, në këtë dimensionin e bashkë-ndjenjes, të bashkimit në fatkeqësi, që prej dridhjes së madhe së tokës në mëngjesin e kësaj të marteje e tutje.

Realisht, kushdo që sadopak e njeh historinë tonë kombëtare, e di që në këto raste, duke nisur që nga familjet tona, ambientit ku jetojmë, e deri tek ai niveli kombëtar, ne dimë çka duhet të bëjmë, si duhet të sillemi, si duhet t’i gjindemi njeri-tjetrit.

Nuk e matim ne, në këto raste, çka duhet të bëjmë për njeri-tjetrin.

Nuk ka njësi matëse këtu.

Hera e fundit  (para kësaj), kur ishte kështu ishte ajo e luftës në Kosovë, në atë fazën finale, të pranverës së vitit 1999-të, kur qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u strehuan në Shqipëri. Mund të mirret me mend çka do të bëhej me ne, si do të përmbylljej lufta në Kosovë, sikurse nuk do të ishte ky shpëtim i qenies sonë biologjike në Shqipëri.

Anët më të mira të shqiptarëve vijnë në shprehje, atëherë kur është më së keqi për ne, atëherë kur rrezikohet jeta nga tronditjet e natyrës apo të historisë, atëherë kur kërcënohemi me themel.

Kur këto sprova kalojnë, dhe kur ne sërish ngadhnjejmë (e mbijetesa shqiptare është mrekulli në vete, veçmas në Kosovë), atëherë, natyrisht, i kthehemi të vjetrës, apo atij botëkuptimit të rëndomtë ndër ne, si këtu, ashtu edhe në Shqipëri, sipas të të cilit del që thuaja është e pamundur që në mënyrë të organizuar, brenda një sistemi politik, shoqëror, shtetëror, të funksionojmë si duhet.

Nuk do të na mbajë pra gjatë gjithë ky solidaritet, gjithë ky vullnet për t’i ndihmuar atij që është goditur keq tani nga një akt i tillë i natyrës, apo më herët, nga një projekt politik i shfarosjes së shqiptarëve  (në vitet e luftës).

Do t’i kthehemi ne, pas vetëm disa javëve  (nëse jo edhe më parë), gjendjes sonë pothuaj të natyrshme brenda organizimit tonë kolektiv, të përplasjes së të gjithëve me të gjithë, për gjithçka dhe për asgjë, e cila në teorinë politike i paraprinë bërjes së këtij organizimi kolektiv, e nuk bashkëjeton pastaj me te. Siç ndodhë me ne, ndër ne.

Vlerat e përbashkëta, që do të duhej të krijoheshin, të stabilizoheshin dhe të fuqizoheshin si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, nuk duhet të presin vetëm sfidat e këtilla të rrezikshme që të shfaqen me gjithë shkëlqimin e tyre.

Toleranca politike, raportet e mirëkuptimit në mes të pushtetarëve dhe të opozitarëve, besimi i palëkundur në demokraci, kultivimi i përditshëm i liberalizmit, drejtimi i palëkundur kah Evropa dhe Perëndimi, partneriteti i njëmendtë me SHBA-në dhe me Aleancën Veri-Atlantike, do të duhej të ishin këto vlera të përbashkëta, në Kosovë dhe në Shqipëri.

E dimë mirë që thuaja nuk ka politikan ndër shqiptarë që nuk bënë be në këto vlera, ditë dhe natë, para dhe pas zgjedhjeve parlamentare,

Por njëlloj e dimë që asnjëra prej tyre nuk ka qëndrueshmëri ndër ne, apo, këto vlera llogariten si mall për tregti të përkohshme politike.

Apo jo. /Lajmi.net/