Rreth 50 familje në Barilevë kanë mbetur në terr

Mëngjesi i së dielës i gjeti banorët e fshatit Barilevë në terr energjetik.

Lajme

11/10/2015 23:42

Banorët e fshatit, përveç mungesës së energjisë elektrike kanë mbetur edhe të bllokuar, për shkak se shtylla elektrike ka rënë në rrugën kryesore të fshatit, ndërsa një pjesë e saj ra edhe në oborrin e një shtëpie.

Kjo la pa energji elektrike rreth 50 familje të këtij fshati. Që nga vitet 70’, kur për herë të parë u instalua ky rrjet elektrik sipas banorëve, nuk pati intervenime për ta mirëmbajtur atë.

Mirëpo, kërkesat e tyre të bëra qysh në vitin 2013, drejtuar departamentit për mirëmbajtje të rrjetit hasën në vesh të shurdhër, deri në momentin kur njëra nga shtyllat e vjetruara u shemb.

Gjatë tërë këtyre viteve banorët po pretendojnë se iu dëmtuan shumë pajisje shtëpiake, si pasojë e lidhjes së dobët të rrjetit.

Dy ekipet e KEDS-it, të cilat qëndruan në orët e paradites nuk arritën ta zgjidhnin problemin. Por zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se në kohën më të shkurtër të mundshme do të riparohen prishjet.