Rrënimi i besimit
Kryeparimi politik dhe qytetërues Evropian dhe Perëndimor, në dy vitet e fundit është diskualifikuar në mënyrë të njëanshme prej Brukselit.
Opinion
Në njërin prej takimeve të Presidentit Ahtisaari, Emisarit Special të OKB-së për çështjen e statusit të Kosovës, me Ekipin e Unitetit, ky u pati thënë anëtarëve të Delegacionit të Kosovës që kishte lexuar me kujdes Planin e UNMIK-ut për ‘Standardet para statusit’.
Dihet që këtë Plan e pati inicuar Kryeadministratori i Kosovës, Michael Steiner, në vitin 2002.
Logjika e tij ishte shumë e qartë: Me përmbushjen e standardeve të projektuara nga ana e UNMIK-ut, kosovarët do të meritonin të mbërrinin në fazën e zgjidhjes së statusit të vendit të tyre.
Në ndërkohë, gjërat ndryshuan goxha shumë në këtë aspekt (trazirat e marsit të vitit 2004-të), dhe ky Plan evoluoi në drejtim të modelit ‘Standardet dhe Statusi’.
Sidoqoftë, Ahtisaari i pati thënë fare hapur Ekipit të Unitetit që nëse Kosova do ta jetësonte këtë Plan (të ‘Standardeve para Statusit’), atëherë, po atë ditë kur do të konstatohej një gjë e tillë, Kosova do të meritonte të bëhej anëtare e Bashkimit Evropian.
Teksa Ahtisaari një herë të vetme kishte folur për këtë temë, diplomatët amerikanë, thuaja në çdo mbledhje me Delegacionin e Kosovës që kishte marrë mandatin e Kuvendit të Kosovës për ta bërë Kosovën shtet të pavarur, do t’ua përkujtonin anëtarëve të këtij trupi ekzekutiv, që Kosova është pjesë e Evropës, dhe kur të bëhet shtet, në mënyrë të natyrshme duhet të aspirojë të bëhet pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian (natyrisht, edhe e Aleancës Veri-Atlantike).
Për këtë shkak, politika kosovare do të duhej të përfillë çdo kërkesë dhe çdo kriter të Brukselit.
Në te dy rastet, si kur Presidenti Ahtisaari ndante me Ekipin e Unitetit vlerësimin e tij për ‘Standardet para statusit’, ashtu edhe në këtë tjetrin, kur diplomatët amerikanë inkurajonin negociatorët kosovarë që të përmbushin pritjet e Brukselit, kishim të bëjmë me ‘Rregulla të qarta të angazhimit’, të cilat në fakt, në masë të madhe, janë në themelet e Qytetërimit Perëndimor. Pra, me punë, me përkushtim, me përgjegjinë e shfaqur, duhet merituar një pozicion të ri, një gjendje të re, një status të ri.
Kjo ka qenë deri vonë, (nuk është më), edhe mënyra e punës dhe e veprimit të BE-së.
Zatën, BE-ja është parë si organizata më e fuqishme në Botë sa i përket ‘Forcës së butë’ (soft-power), e cila ka një ‘gravitet’ të parezistueshëm politik dhe ekonomik, për t’i bërë për vete shtetet evropiane. Për më shumë, edhe shtetet që në kohën e ‘Luftës së Ftohtë’ ishin në anën tjetër të ‘Perdes së Hekurt’, e dinin mirë që nuk kanë opsion tjetër pos të bëhen shtete anëtare të BE-së. Madje, siç ndodhë rrallë në politikë, ky opsion i domosdoshëm, për këto shtete njëkohësisht ishte edhe më i miri.
Për shkaqe të shumta, ky Kryeparimi politik dhe qytetërues Evropian dhe Perëndimor, në dy vitet e fundit është diskualifikuar në mënyrë të njëanshme prej Brukselit. Teksa pala pretendente për ta fituar një të drejtë që garantohet prej BE-së, i ka plotësuar të gjitha këkesat dhe kriteret e Brukselit, kjo nuk ka mjaftuar që BE t’i përmbahet pjesës së vet të obligimeve për t’ia ofruar këtë të drejtë që ka qenë pjesë përbërëse e një Kontrate.
Së pari kjo u shfaq në rastin e Kosovës, ku përkundër konfirmimit të Komisionit Evropian për përmbushjen e të gjitha kushteve që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm (pa viza), në shtetet e Zonës së Schengenit, kjo e drejtë nuk iu ofrua qytetarëve të Kosovës. Për më shumë, kush nuk e di se kur diçka e tillë do të mund të ndodhë.
Së dyti, kemi edhe shembullin e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, të cilave iu mohua pak ditë më parë fillimi i negociatave për anëtarësim në BE, edhe pse sërish Qeveria e Evropës (Komisioni Evropian), konstatoi që Tirana dhe Shkupi kanë përmbushur hisen e tyre të obligimit.
Ana racionale dhe pragmatike e politikës së deritashme të BE-së, nuk ka si ta justifikon këtë sjellje që ka lëkundur me themel relacionet në mes të këtyre shteteve dhe Brukselit, mbi të gjitha të ndërtuara në besimin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore që statusi i merituar do të ofrohet prej BE-së.
Është krijuar një situatë e rëndë në këto anë të Evropës, e cila duhet patjetër të tejkalohet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.