Rrëfimi i talentit të ri të FC Prishtinës, Benet Ismaili
Futbolli i Kosovës, edhe pse në kushte jo të kënaqshme, vazhdon të prodhojë futbollistë cilësorë.

Sport
Lojtari i radhës, i cili pritet të shkëlqejë në fushat e futbollit kosovar dhe ndoshta edhe jashtë vendit, është Benet Ismaili.
Mbrojtësi i krahut të djathtë në këtë edicion iu bashkua klubit më të madh në Kosovë, FC Prishtina, në moshën 19-vjeçare duke nënshkruar kontratë dy-vjeçare.
Ismaili në një intervistë për “Zeri.info” rrëfehet për punën që e ka bërë deri në momentin që ka firmosur me Prishtinën.
“Karrierën e kam filluar në moshën 6-vjeçare në klubin ‘Shqiponjat’ dhe pastaj kam arritur marrëveshje me kompaninë e menaxhmentit ‘Pro Talents Kosova’, ku sipas udhëzimeve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, për tre vjet jam trajnuar me trajnerin profesional nga Zvicra, Didier Gigon, në klubin ‘Roni 19, ku fitova përvojë dhe aftësi profesionale dhe sigurova prova në një nga klubet më të mëdha në Evropë. Momentalisht jam pjesë e FC Prishtinës dhe për këtë fakt jam shumë i lumtur”, ka thënë Benet Ismaili
Ismaili më herët ka qenë edhe pjesë e grup-moshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës.
Ekipit kryeqytetas i është bashkuar në afatin e fundit kalimtar veror, teksa ende nuk ka debutuar me skuadrën e parë.
“Debutimin me skuadrën e Prishtinës nuk e kam realizuar ende, për faktin se konkurrenca dhe lojtarët që janë momentalisht, është shumë sfiduese, mirëpo motivi dhe fokusi të cilin e kam dhe me bashkëpunimin me trajnerët e ekipit, në krye me Zekirija Ramadanin, do të mundohem që ta jap maksimumin në stërvitje dhe pastaj vijnë edhe minutat në fushë. Besueshmëria që kanë trajnerët në raport me mua më bëjnë që të mos ndalem së punuari”, vlerësoi Beneti, duke folur edhe për synimet e tij në sportin më të popullarizuar në botë e të cilat nuk janë të vogla.
“Synimet e mia janë që t’i arrij majat në klube të ndryshme evropiane dhe të jem pjesë e Përfaqësueses së Kosovës për ta përfaqësuar shtetin tim në mënyrën me të mirë të mundshme”, përfundoi Benet Ismaili.