Rrahmani takohet me Ramën, flasin për buxhetin si dhe probleme në lagjen Kodra e Trimave
Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani e ka takuar sot kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën. Ai ka thënë se në atë takim kanë diskutuar rreth bashkëpunimit institucional, mbështetjes dhe kontributit të përbashkët për zhvillimin e kryeqytetit. “Bllokimi i buxhetit të Prishtinës dhe mos përfshirja e projekteve të saj në Buxhetin e Republikës është thellësisht shqetësuese…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani e ka takuar sot kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën.
Ai ka thënë se në atë takim kanë diskutuar rreth bashkëpunimit institucional, mbështetjes dhe kontributit të përbashkët për zhvillimin e kryeqytetit.
“Bllokimi i buxhetit të Prishtinës dhe mos përfshirja e projekteve të saj në Buxhetin e Republikës është thellësisht shqetësuese dhe e paprecedentë në një demokraci funksionale. Buxheti nuk është i një individi apo i një partie, është i qytetarëve. Mohimi i fillimit të projekteve të reja për Prishtinën nuk është goditje ndaj Kryetarit, por ndaj vetë qytetarëve të kryeqytetit”, ka shkruar Rrahmani.
Ai ka thënë se në takim kanë diskutuar edhe për dy çështje jetike për Prishtinën, në veçanti për lagjen Kodra e Trimave, furnizimin me ujë të pijshëm dhe grumbullimin e mbeturinave.
“Sa i përket furnizimit me ujë, duke qenë se kjo është kompetencë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, i cili operon nën nivelin qendror, kërkova nga Kryetari që të vazhdojë presionin institucional ndaj kompanisë për të siguruar furnizim të rregullt me ujë 24 orë për qytetarët. Ndërsa për çështjen e grumbullimit të mbeturinave, problem që prej kohësh ka shqetësuar jo vetëm Kodrën e Trimave por gjithë Prishtinën, Kryetari na informoi se tashmë janë nënshkruar kontratat për kryerjen e shërbimeve dhe se nga java e ardhshme do të fillojë grumbullimi i rregullt i mbeturinave në të gjitha lagjet”, ka shkruar Rrahmani.
Ai ka thënë se Prishtina meriton trajtim të barabartë dhe mbështetje të plotë institucionale.
“Çdo pengesë buxhetore apo administrative që prek kryeqytetin, në fund prek qytetarët. Për këtë arsye do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje konkrete dhe bashkëpunim institucional në interes të qytetarëve”, ka shtuar ndër të tjera Rrahmani. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: