Ronaldo i siguron një pikë Juventusit në derbin lokal kundër Torinos
Ka përfunduar edhe ndeshja e parë e xhiros së 35-të në kuadër të Serie A.
Sport
Kjo xhiro filloi me super derbin lokal, Juventus – Torino, i cili u mbyll pa fitues, me rezultatin 1:1, shkruan lajmi.net.
Në këtë ndeshje, Juventus ishte pa ndonjë synim, pasi për ta kampionati ka përfunduar dhe janë kampionët edhe matematikisht, por Torino luftoi me të gjitha forcat për tri pikët që iu mohuan nga Cristiano Ronaldo.
Të parët që kaluan në epërsi në këtë takim ishin skuadra e Torinos, të cilët zhbllokuan rezultatin qysh në minutën e 18’.
Kur mendohej se Torino po merrte tri pikë të arta, të cilat do t’i shërbenin shumë në luftën për top katërshen, atëherë në skenë u shfaq pesë herë lojtari më i mirë në botë.
Ishte minuta e 84’ kur Cristiano u shkëput lart për të goditur me kokë një top i cili përfundoi në rrjetën e mysafirëve, shkruan lajmi.net.
Goli i portugezit ishte ai që vulosi rezultatin përfundimtar të këtij takimi, duke lënë skuadrat me vetëm nga një pikë në xhiron e 35-të.
Kështu Torino mbetet në pozitën e gjashtë, pozitë kjo që dërgon në Ligën e Evropës, kurse Juve siç është cekur më lartë, veçse janë kampionët e këtij edicioni. /Lajmi.net/