Roja bregdetare greke qëllon drejt jahtit turk, Athina zyrtare: Do mbrojmë sovranitetin tonë

Mesnatën e ditës së sotme, një varkë e rojës Bregdetare të ishullit të Rodos, në Greqi gjatë patrullimit të saj në zonën e detit pranë bregut perëndimor vuri re një jaht të bardhë, që po lëvizte me dyshim pranë brigjeve, njëkohësisht me drita të fikura.

Bota

11/08/2020 22:14

“Pas përdorimit të vazhdueshëm të sinjaleve të ndriçimit nga ekuipazhi i Rojës Bregdetare, në mënyrë që jahti i dyshimtë të ndalej për kontroll, piloti i tij nuk e respektoi, por ngriti shpejtësinë, ndërsa kryente manovra të rrezikshme.

Të shtënat u drejtuan në zona të sigurta, në përputhje me rregullat e angazhimit, në mënyrë që jahti të ndalonte për kontroll. Pasi u ndoqën, jahti u zhvendos në brigjet turke dhe hyri në ujërat territoriale turke të shoqëruar nga dy roje turke”, thuhet në njoftimin e marinës greke.

I njëjti incident raportohet edhe nga mediat turke, të cilat akuzojnë Greqinë për hapjen e zjarrit dhe plagosjen e dy turqve dhe një shtetasi sirian, raporton TCh.

Në një deklaratë për mediat, Greqia thotë se “nuk do të pranojë asnjë shantazh”, duke iu referuar kështu përplasjes me jahtin mesnatën e sotme: Pas një takimi të kryesuar nga Kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, kërkova që të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave të Jashtëm për temën e provokimeve të zgjerimit të Turqisë dhe veprimtarisë së paligjshme.

Kjo kërkesë vjen në një kohë të kërcënimit të qartë nga ana e Turqisë kundër paqes dhe sigurisë në Mesdheun Lindor, në Greqi dhe Qipro.

Përkundër angazhimit të vendit tonë për dialog mbi bazën e rregullave të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Ligjit të Detit, një angazhim të cilin ne e ritheksojmë përsëri, Turqia ka vendosur të kthehet në veprimtarinë e saj të njohur ilegale.

Ajo ka dëshmuar edhe një herë se deklaratat e saj për gatishmërinë e saj për t’u përfshirë në dialog ishin të pasakta dhe pretekstuale.