Robertson për Thaçin: Person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand, ndoshta një ditë mund të kthehet në skenë

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson ka treguar përshtypjet e tij që ka për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Madje ai shprehet se ndoshta një ditë, Thaçi mund të kthehet në skenën politike. Në një pjesë të intervistës së tij për Kallxo, Robertson ka kujtuar ditën kur ishte në promovimin e librit autobiografik…

Lajme

17/06/2024 09:07

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson ka treguar përshtypjet e tij që ka për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Madje ai shprehet se ndoshta një ditë, Thaçi mund të kthehet në skenën politike.

Në një pjesë të intervistës së tij për Kallxo, Robertson ka kujtuar ditën kur ishte në promovimin e librit autobiografik të ish-presidentit Thaçi që atëkohë u mbajt në Londër.

“Kam qenë në promovimin e librit të tij autobiografik, që e pati në Londër. E mbajta një fjalim, ku thashë që ai duhet të shfrytëzojë talentet e tij të lidershipit. Ishte person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand. Dhe kushedi, ndoshta mund të kthehet në skenë sërish një ditë”, ka theksuar Robertson.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

Lordi George Robinson ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1999 deri në vitin 2003. Njëherësh ka qenë edhe Sekretar i Mbrojtjes në qeverinë britanike në kohën kur kjo qeveri drejtohej nga Tony Blair.