Rizvanolli kritikon LDK-në dhe ZRrE-në për propozimin e subvencionimit të bizneseve të mëdha
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ashpër ndaj idesë së ndarjes së 50 milionë eurove për subvencionimin e bizneseve të mëdha, të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe e përmendur në diskutimet publike për qëndrimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE). Në një deklaratë publike, Rizvanolli theksoi se Qeveria…

Lajme
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ashpër ndaj idesë së ndarjes së 50 milionë eurove për subvencionimin e bizneseve të mëdha, të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe e përmendur në diskutimet publike për qëndrimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në një deklaratë publike, Rizvanolli theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të lejojë që miliona euro nga taksat e qytetarëve të shkojnë për të subvencionuar konsumin e energjisë elektrike të “1%-shit të korporatave më të fuqishme që operojnë në Kosovë”.
“LDK-ja, ndoshta edhe do të donte ta realizonte këtë politikë, siç kanë vepruar gjatë pandemisë, por këtë mund ta bëjnë vetëm nëse ndonjëherë i fitojnë zgjedhjet”, tha Rizvanolli.
Ajo kritikoi edhe ZRrE-në për mungesë përqendrimi në analizën e kostove reale të furnizimit me energji. Sipas saj, ky institucion duhet të shfrytëzojë kohën për të analizuar në mënyrë të detajuar faktorët që kanë ndikuar në rritjen e madhe të kostos së energjisë gjatë vitit të kaluar, përfshirë edhe rritjen dhjetëfish të tarifave të transmetimit.
Rizvanolli nënvizoi gjithashtu se vendimet e ZRrE-së nuk mund të anulohen apo shtyhen përmes nënshkrimeve apo deklaratave politike, por vetëm përmes rrugëve ligjore në gjykatë.
Ministrja akuzoi LDK-në për bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, gjë që sipas saj ka penguar edhe raportimin e ZRrE-së para deputetëve. “Po të ishin të brengosur për qytetarët, nuk do ta kishin bllokuar këtë proces”, shtoi ajo.
Rizvanolli siguroi se Qeveria Kurti do të vazhdojë të qëndrojë pranë prodhuesve vendorë dhe se mbështetja për ta do të fokusohet në zbutjen e ndikimit të liberalizimit të tregut të energjisë në konkurrueshmëri dhe në çmimet për qytetarët.
“Për këtë kemi punuar dhe jemi duke punuar në të gjitha drejtimet, dhe do të vazhdojmë konsultimet me prodhuesit gjatë ditëve dhe javëve në vijim”, përfundoi Rizvanolli.