Rikthimi i Osmanit në LDK, Matoshi: Vjosa e zemëruar me Kurtin – kaq përqind të elektoratit synon t’ia heq VV’së në zgjedhje

Një marrëveshje politike për dalje me listë të përbashkët është dakorduar në mbledhjen e djeshme të Kryesisë dhe kryetarëve të degëve të LDK-së, të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku. Rikthimi i Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës tashmë është konfirmuar edhe nga kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili bëri të ditur se Osmani…

Lajme

06/05/2026 15:07

Një marrëveshje politike për dalje me listë të përbashkët është dakorduar në mbledhjen e djeshme të Kryesisë dhe kryetarëve të degëve të LDK-së, të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku.

Rikthimi i Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës tashmë është konfirmuar edhe nga kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili bëri të ditur se Osmani është sërish pjesë e LDK-së dhe pritet të jetë kandidate e kësaj partie për presidente.

Lidhur me këtë zhvillim, Periskopi ka kontaktuar analistin Halil Matoshi, i cili e sheh këtë rikthim si një lëvizje që mund të ndikojë ndjeshëm në balancat politike dhe në raportet mes opozitës dhe pushtetit aktual.

Sipas Matoshit, LDK hyn në garë me një avantazh të fortë përballë Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, duke e konsideruar Osmanin si figurë kyçe që mund të ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve.

“Lidhja Demoratike e Kosovës realisht shkon në zgjedhjet e shtatë qershorit me adutin më të fortë, Vjosa Osmanin e zemëruar në Albin Kurtin! Ajo do të përballet me Kurtin në një garë më të ashpër dhe këto zgjedhje mund ta prodhojnë një rezultat më të balancuar që i mundëson opozitës bashkimin në një koalicion qeverisës! Kjo mund të ndodhë nëse ish-opozita di të ndërtojë narrativë emancipuese e jo armiqësore ndaj Kurtit…”, tha ai.

Më tej, ai shton se përplasja mes Osmanit dhe Kurtit mund të ketë ndikim direkt edhe në elektorat dhe në strategjitë e ardhshme të partive opozitare.

“…Beteja e Kurtit konsistonte në eliminimin e saj nga Presidenca edhe për një mandat rezultoi e suksesshme porse, ajo ka motiv që ta luftojë në zgjedhje duke i hequr Lëvizjes Vetëvendosje deri në 10% të elektoratit që dikur kanë votuar LDK-në. Strategjia e grupeve politike opozitare konsiston në një garë veç e veç, porse në fund mund të bashkohet për ta larguar Kurtin nga pushteti. Në këtë frymë e shoh edhe koalicinin me PDK në Prishtinë”, ka thënë Matoshi.

Osmani, e cila nuk arriti të zgjidhej presidente për një mandat të dytë në mungesë të mbështetjes në Kuvend pasi i mbaroi mandati në prill, ka vendosur të jetë pjesë e garës zgjedhore në qershor.

Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme në skenën politike, duke sinjalizuar ndërtimin e një boshti të ri bashkëpunimi dhe një qasje të koordinuar për marrjen e institucioneve kyçe të vendit.