Rigjykimi ndaj ish-kryepunëtorit të Trepçës që akuzohet se përvetësoi argjend 40 mijë euro, mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarit nga akuza

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në fjalën përfundimtare në rastin ku ish-kryepunëtori i Trepçës, Zhivorad Millutinoviq akuzohet për përvetësim në detyrë, prokurori Sahit Tmava qëndroi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar, kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ljubomir Pantoviq kërkoi që Millutinoviq të lirohet nga akuza. Millutinoviq,…

Lajme

11/11/2024 19:50

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në fjalën përfundimtare në rastin ku ish-kryepunëtori i Trepçës, Zhivorad Millutinoviq akuzohet për përvetësim në detyrë, prokurori Sahit Tmava qëndroi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar, kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ljubomir Pantoviq kërkoi që Millutinoviq të lirohet nga akuza.

Millutinoviq, akuzohet se më 31 dhjetor 2008 deri më 5 maj 2009, në cilësinë e kryepunëtorit të trezorit në Kombinatin Xehtaro-Metalurgjik Kimik  “Trepça” në Zveçan, ka përvetësuar 159,298 kg metal të çmueshëm, argjend i pastër 99.9%, në vlerë prej 40 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Sahit Tmava tha meqenëse rasti është në rigjykim, qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë më 17 prill 2017.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Millutinoviq, avokati Ljubomir Pantoviq fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim në gjykatë, duke thënë se fjala përfundimtare është e re pasi tani kanë ndryshuar rrethanat.

Ai tha se ende nuk ekzistojnë përgjigjet të cilat i ka kërkuar Apeli në këtë rast, me arsyetimin se përkundër faktit që Gjykata ka angazhuar ekspert, ende nuk ka një ekspertizë përfundimtare.

Pantoviq tha se pesë deshmitarët të cilët janë dëgjuar në seanca gjyqësore, kanë qenë të pandehur së bashku me të pandehurin Millutinoviq, dhe se shumica prej tyre kanë pasur qasje në trezor ku ka qenë argjendi.

Avokati Pantoviq i propozoi gjykatës që të akuzuarin Millutinoviq ta lirjojë nga aktakuza në mungesë të provave,  me arsyetimin se nuk ka fakte në bazë të së cilave do të vërtetohej dyshimi i bazuar mirë për kryerjen e veprës penale.

Paraprakisht, në seancën e sotme gjyqësore u administruan provat materiale.

Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Hajraj e caktoi datën për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast.

Ndërkaq, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Mitrovicë më 24 prill 2017, të akuzuarin Zhivorad Millutinoviq, e ka shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të përvetësimit në detyrë, duke e dënuar me tre vjet burgim dhe 1 mijë euro gjobë. Njëherësh, Gjykata e ka obliguar të akuzuarin Zhivorad Millutinoviq që palës së dëmtuar t’ia kompensojë dëmin në lartësi prej 40 mijë euro.

Më pas, më 20 korrik 2017, ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi që sipas vendimit, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ljubomir Pantoviq, është gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale, e që sipas vendimit ndërlidhet edhe me vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 8 korrik 2009, nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicës, Zhivorad Millutinoviq, po akuzohet se më 31 dhjetor 2008 deri më 5 maj 2009, në cilësinë e kryepunëtorit të trezorit në KXMK “Trepça” në Zveçan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar 159,298 kg metal të çmueshëm, argjend i pastër 99.9%, ku vlera e tregut arrin në 40 mijë euro.

Bazuar në aktakuzë, këtë vepër i akuzuari e ka kryer në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar çelësin i cili i është besuar në bazë të detyrës, kohë pas kohe ka marrë argjend dhe pastaj atë sasi e ka shitur dhe paratë e fituara i ka shfrytëzuar për nevojat e tij.

Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”, nga neni 425, par.2 të Kodit Penal të Kosovës.