Rifillojnë punimet në Zonën Ekonomike në Lumëmadh të Vushtrrisë

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se kanë rifilluar punimet në projektin më të madh që është realizuar deri më tash, Zona Ekonomike në Lumëmadh.

Lajme

16/10/2019 09:18

Projekti ka filluar të realizohet në marsin e këtij viti, ndërsa vendimi për Zonën Ekonomike është marrë nga ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, në prillin e vitit 2018. Projekti është paraparë të realizohet për 3 vjet.

“Zona e Lirë Ekonomike në Lumëmadh të Vushtrrisë është projekti më i madh për përkrahje të biznesit dhe zhvillimin ekonomik të Vushtrrisë.

Zona Ekonomike në Lumëmadh po merr formë, punimet kanë rifilluar aty dhe po zhvillohen sipas planit dinamik”, ka deklaruar Xhafer Tahiri, kryetar i Vushtrrisë, i cili ka vizituar zonën ku janë duke u kryer punët, shkruan gazeta Zëri.

Tahiri, i cili kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që edhe Zona Ekonomike Amerikane të ndërtohej në Banjskë të Vushtrrisë, tha se bizneset e Vushtrrisë dhe të gjitha ato kompani që duan të investojnë në këtë komunë do të kenë kushte ideale për të vepruar.