Rezultatet përfundimtare priten sot

Sot pritet shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Ky proces pritet t’i hapë rrugë përgatitjeve për garën e balotazhit të 1 dhjetorit në 24 komuna të Kosovës.

Lajme

13/11/2013 08:39

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot t’i publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 3 nëntorit, për  kryetarë komunash dhe asamble komunale. Këtë e ka paralajmëruar për Valdete Daka, Kryetarja e KQZ’së.

KQZ të hënën ka marrë vendim që 61 vendvotime të rinumërohen për shkak të parregullsive të evidentuara në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Daka tregon se në këto vendvotime ka pasur mospërputhje në formularin e rezultateve. Por, sipas saj, ende nuk dihet nëse ka pasur manipulime apo gabime teknike në po këto vendvotime.

“Pas këtij procesi të rinumërimit për këto vendvotime do të dalim me rezultatet finale. Prandaj, po besoj se të mërkurën do të dalim me rezultate finale për kandidatët për kryetarë komunash. Po ashtu, shumë shpejt do të dalim edhe me rezultatet për kandidatët për asamble komunale”.

Vendvotimet të cilat kanë shkuar në rinumërim kryesisht janë nga komuna e Prishtinës, Podujevës, Prizrenit, Ferizajt, Malishevës, Skenderajt, Lipjanit Suharekës dhe komunave të tjera.