Rezniqi: Çdo përfitues i pensionit të moshës ka të drejtë ligjore edhe për pensionin që buron nga Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se çdo përfitues i pensionit të moshës ka të drejtë ligjore edhe për pensionin që buron nga Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta, nëse i plotëson kriteret përkatëse. Ajo tha se assesi nuk lejohet t’iu kërkohet të…
Lajme
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se çdo përfitues i pensionit të moshës ka të drejtë ligjore edhe për pensionin që buron nga Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta, nëse i plotëson kriteret përkatëse. Ajo tha se assesi nuk lejohet t’iu kërkohet të zgjedhin mes njërit apo tjetrit pension.
Këtë deklarim, ajo e bëri pas dorëzimit të kërkesës drejtuar kryetares së Kuvendit dhe kryetarëve të Grupeve Parlamentare, për inicimin e debatit parlamentar lidhur me moszbatimin e legjislacionit pozitiv për realizimin e të drejtës në pensionin e moshës, krahas pensionit dhe beneficioneve të përcaktuara me ligjin për kategoritë e dala nga lufta
Rezniqi tha se IKD ka pasur angazhim të vazhdueshëm lidhur me kërkesën për zbatimin e drejtë të legjislacionit pozitiv, në mënyrë që pensionistëve t’u garantohet realizimi i të drejtës për pensionin e moshës, krahas pensionit që përfitojnë sipas Ligjit për kategoritë e dala nga lufta.
“Si IKD, gjatë dy apo tri viteve të fundit, kemi pasur në vazhdimësi një angazhim lidhur me kërkesën për zbatimin e drejtë të legjislacionit pozitiv, me qëllim që qytetarëve të Republikës së Kosovës, përkatësisht pensionistëve, t’u garantohet realizimi i të drejtës për pensionin e moshës, krahas pensionit që përfitojnë sipas Ligjit për kategoritë e dala nga lufta”, tha Rezniqi.
Ajo tha se qysh në fund të vitit 2023 kur kanë pranuar shqetsësimet e para lidhur me këtë çështje, kanë kryer një analizë juridike, përmes së cilës kanë konstatuar se legjislacioni në fuqi u lejon qytetarëve të këtyre kategorive të drejtën për përfitimin e dy pensioneve.
“Kjo e drejtë ishte konfirmuar dhe konsoliduar edhe përmes praktikës gjyqësore, deri në nivelin e Gjykatës Supreme. Që në fillim, kemi sqaruar dhe vazhdojmë ta sqarojmë, se Ligji për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, është ligj i veçantë në raport me Ligjin Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Dhe si ligj special, e përcakton qartë se “shfrytëzuesit e pensionit bazë mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe beneficionet e përcaktuara me këtë ligj, nëse i përmbushin kushtet dhe kriteret sipas dispozitave të këtij ligji”, tha Rezniqi.
Nga ana tjetër, ajo shtoi se me asnjë dispozitë të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, ndonëse është ligj i mëvonshëm dhe as me ndonjë akt tjetër normativ, nuk është shfuqizuar neni 23 i Ligjit 04/L-054.
“Për rrjedhojë, çdo përfitues i pensionit të moshës ka të drejtë ligjore edhe për pensionin që buron nga Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta, nëse i plotëson kriteret përkatëse”, tha Rezniqi.
Sipas Rezniqit, kjo qasje është konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga praktika gjyqësore e konsoliduar deri në Gjykatën Supreme. Tha se assesi nuk lejohet t’iu kërkohet pensionistëve të zgjedhin mes njërit apo tjetrit pension.
“Rrjedhimisht, të gjithë personat që arrijnë moshën e pensionimit nuk mund dhe nuk duhet të detyrohen të zgjedhin ndërmjet njërit apo tjetrit pension dhe as nuk mund t’u mohohet e drejta për përfitimin e të dy pensioneve. Kjo do të thotë se të gjithë ata që arrijnë moshën e pensionimit, e kanë edhe të drejtën që e gëzojnë si kategori e dalë nga lufta”, tha Rezniqi.
Rezniqi tha se më 2024 i janë drejtuar ministrit të Financave me letër sqaruese dhe kanë kërkuar ndërprerjen e praktikës së gabuar nga kjo ministri. Por, kjo prakatikë po vazhdon të zbatohet edhe sot.
“Në përputhje me analizën dhe qartësinë juridike të konstatuar, në fillim të vitit 2024 i jemi drejtuar ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me letër sqaruese, ku në detaje kemi sqaruar situatën faktike dhe juridike, si dhe praktikën gjyqësore të aplikueshme. Me atë rast kemi kërkuar ndërprerjen e praktikës së gabuar nga ana e kësaj ministrie ku po iu mohohej e drejta qytetarëve në përfitimin e dy pensioneve. Megjithatë, edhe sot kjo praktikë vazhdon të zbatohet në departamentet e pensioneve, ku një numër i konsiderueshëm qytetarësh vazhdojnë të pranojnë vendime refuzuese për një të drejtë që u takon në mënyrë të qartë sipas ligjit”, u shpreh hulumtuesja.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën drejtuar Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, për inicimin e debatit parlamentar lidhur me moszbatimin e legjislacionit pozitiv për realizimin e të drejtës në pensionin e moshës, krahas pensionit dhe beneficioneve të përcaktuara me ligjin për kategoritë e dala nga lufta. /Betimi për Drejtësi