Rexhepi flet për diskriminimin e shqiptarëve në Luginë: Shkollat shqipe, në gjendje të mjerueshme

Serbia po vazhdon diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke cenuar edhe të drejtat elementare të njeriut, thotë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. Me politikat diskriminuese, ai shton se Beogradi zyrtar po tenton të shpopullojë Preshevën, Bujanocin e Medvegjën në mënyrë të heshtur. Pasivizimi i adresave, varfëria ekstreme, mosnjohja e diplomave, mungesa…

Lajme

06/01/2026 15:01

Serbia po vazhdon diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke cenuar edhe të drejtat elementare të njeriut, thotë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. Me politikat diskriminuese, ai shton se Beogradi zyrtar po tenton të shpopullojë Preshevën, Bujanocin e Medvegjën në mënyrë të heshtur.

Pasivizimi i adresave, varfëria ekstreme, mosnjohja e diplomave, mungesa e integrimit në polici dhe instituicioneve, janë disa nga temat për të cilat Rexhepi flet me shqetësim për realitetin në këto tri komuna.

Derisa flet për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Rexhepi thotë se diskriminimi po shkel konventat ndërkombëtare.

“Pozita e shqiptarëve në Luginë të Preshevës është një pozitë vërtet e rënduar dhe gjërat janë duke shkuar, duke u rënduar, dhe shqiptarët janë duke ngritur zërin në shumë vende, në shumë mënyra, sepse diskriminimi është tejet i skajshëm, ku po prek normat e të drejtave të njeriut, të cilët edhe vetë është nënshkruese në konventat ndërkombëtare dhe vetë Serbia, po ajo po i shkel me gjithë vetëdije dhe me gjithë mundësitë e veta, domethënë po mundohet të bëjë realisht një spastrim etnik….Po realisht mund të themi, në të gjitha fushat jemi të diskriminuar. Nuk po e themi vetëm ne, po e thonë dhe raportet ndërkombëtare, ku e paraqesin, domethënë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës si një çështje të rëndësishme, sepse diskriminimi është në arsim, në kulturë, në gjuhë, në simbole, dhe në avancimin e shqiptarëve në të cilën jetojnë”,deklaron Rexhepi për KosovaPress.

Diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës po reflekton edhe në aspektin ekonomik. Sipas Rexhepit, shqiptarët në Serbi janë më të varfrit.

“Sipas statistikave të vetë Serbisë, mbi 75% e popullatës, është, janë të papunë. Domethënë gjendja, dhe gjithashtu edhe sipas statistikave, domethënë rroga minimale është më e vogël në gjithë Serbinë, është në Preshevë. Pastaj vjen Bujanoci dhe gjithashtu edhe Medvegja, të cilët, pra janë fakte kryesore, janë fakte të vetë shtetit serb, se ne diskriminohemi edhe në pagën minimale. Mos të flasim për ato mesatare dhe të tjerët. Domethënë, shqiptarët, shporta e shqiptarit është shumë e varfër. Dhe kjo është gjendje, domethënë, që shkon duke, duke rënduar çështjen e mbijetesës në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak”,shton Rexhepi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi thotë se pasivizimi i adresave po ndodh në mënyrë të heshtur.

“Realisht, po t’i marrim këtu, ne e kemi problem të nxjerrim statistikat reale të të cilët janë duke ndodhur. Ne mundohemi nëpër kanale, nëpër mënyra të tjera të gjejmë mekanizma që t’i nxjerrim, po e kemi shumë të vështirë, sepse policia nuk jep raport, ministria nuk jep raport. Domethënë, komplet shteti nuk japin raport se çka është duke ndodhur. Domethënë, ato mundohen t’i fshehin, jo që vetëm para nesh, por edhe para ndërkombëtarëve mundohen t’i fshehin ato të cilët, domethënë, çka është duke ndodhur me pasivizimin. Dhe unë mund të them që është një pasivizim i heshtur, domethënë siç e kemi thënë edhe më herët, por kjo domethënë është duke shkuar në vazhdimësi, duke u munduar që sa më shumë ta shpopullojnë në mënyrë të heshtur popullsinë”, shprehet ai.

Çështja e pasivizimit të adresave po dënohet edhe ndërkombëtarët, megjithatë Rexhepi thotë po “përkëdhelet Serbia”.

“Dhe këtë qasje të pasivizimit po e shohim edhe në raportet ndërkombëtare. Ku raportet ndërkombëtare e dënojnë këtë. Domethënë dhe shihet qartë dhe nuk ka ku të shkojë. Por ajo që po na brengosë është se ende është duke u përkëdhelur Serbia. Domethënë ndërkombëtarët janë duke e përkëdhelur Serbinë që duhet të ndërrojë qasja, po besoj që jemi në një fazë ku po fillon një shekull i shqiptarëve, po fillon një epokë ku do të ndryshojnë rrethanat politike, dhe janë në të mirë apo më mirë të them, në të drejtën elementare të cilët i takon këtij populli”,thotë mes tjerash ai.

Gjatë vitit të kaluar, Rexhepi konsideron se është ngritur zëri në disa instanca për të drejtat e shqiptarëve.

Zëri i Luginës u dëgjua edhe përmes rezolutës në Kongresin Amerikan, ku çështja e shqiptarëve u trajtua si problem serioz i diskriminimit shtetëror.

“Ne jemi munduar në instanca më të larta ta ngrisim zërin e çështjes së Luginës së Preshevës. Dhe realisht, unë mendoj që viti 2025 ka qenë një vit me shumë angazhime, shumë me prioritete dhe ku i kemi dhënë, edhe pjesa e lobimit ka qenë një ndër faktorët ku kemi arritur, besoj, një sukses, ku për herë të parë është diskutuar në Bundestagun gjerman, ku për herë të parë, domethënë, presidenti i Shqipërisë ka ngritur çështjen e Luginës së Preshevës në OKB, dhe për herë të parë u diskutua në SHBA, konkretisht në, në kongres, ku kongresmeni ngriti çështjen e Luginës së Preshevës, domethënë padrejtësive të shqiptarëve në kongresin amerikan. Dhe është, mund të them që është historike, dhe është në të mirë të këtyre vendeve, domethënë se padrejtësia që është duke i ndodhur shqiptarëve të Luginës ka shkuar skajshmërisht dhe kanë marrë përmasa të tjera”,shton Rexhepi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi ngrit shqetësimin edhe për shkollat ku vijojnë mësimin fëmijët shqiptarë.

“Shkollat të cilat janë shqiptarët, janë në gjendje të mjerueshme. Po ta shohim shkollat shqipe dhe shkollat serbe, domethënë, vetëm në Bujanoc dhe Preshevë, shkollat serbe janë të lulëzuara, janë të rregulluara ashtu në mënyrë sa më moderne evropiane. Ndërsa, ndërsa shkolla shqipe janë shkolla të mjerueshme. E kemi shkollën “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, e cila është ndër shkollat, domethënë e dyta më e madhja në Serbi, ajo është në gjendje të mjerueshme dhe nuk ngjason fare me shkollë. Ndërsa ende nxënësit e shkollës, po të kësaj shkolle apo shkollave të tjera, domethënë se e kanë një situatë të njëjtë, mësojnë në bodrumet e atyre institucioneve, sepse janë në gjendje të mjerueshme. Shteti nuk merr asnjë hap konkret për zgjidhjen apo për rregullimin e shkollave në mënyra më moderne”, tregon Rexhepi.

Ai flet edhe fondin e ndarë nga Kosova, për cka sipas tij është zbutur papunësia dhe janë mbështetur studentët dhe familjet në nevojë.

“Me anë të këtij fondi kemi zbutur si papunësinë, si mënyra të tjera, si në pjesë të organizative ku organizatat, ku kemi diku në vitin ’22 mbi 500 vetë të punësuar rreth projekteve të cilat kanë qenë projekte prej gjashtë muaj deri në një vjet. Po ashtu edhe në faza të tjera kemi përkrahur studentët, ku në këtë vit, në vitin 2025 kemi ndihmuar afër 900 studentë, të cilat i kanë zbutur dhe ja kanë zbutur çështjen familjare. Dhe pastaj i kemi prekur edhe fëmijët të cilët janë pa një prind. Jemi tani në proces të projekteve, të përfundimit të projekteve, ku kemi prekur kulturën, informimin, gjuhën, simbolet dhe sportin, të cilët është duke u zhvilluar. Po ashtu edhe gjatë vitit 2025 kemi prekur edhe disa fëmijë me nevoja të veçanta. Dhe po ashtu tani ata kanë përfunduar projektin dhe ka dalë në mënyrë shumë të mirë dhe presim që tash të përfundojë edhe projekti, fillimi i projektit për prapë për personat me aftësi të veçanta, që është që dita ditës po rritet numri, fatkeqësisht po rritet numri dhe është një nevojë e veçantë”, përfundon Rexhepi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi thotë se pa përfshirjen e Luginës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë stabilitet në rajon.

Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë gjatë vitit 2024 janë organizuar tri protesta gjithëpopullore me thirrjet “Kthema adresën” dhe kundër veprimeve diskriminuese të autoriteteve të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, janë mbi 60 mijë shqiptarë të cilët jetojnë në Serbi./kp