Reus nuk largohet për para

Drejtori ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke ka deklaruar se Marco Reus nuk është futbollist i joshur nga kontratat e mëdha financiare dhe i duket i lumtur në klub.

Sport

20/08/2014 10:18

Drejtori ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke shpreson se gjiganti i Bundesligës do të arrijë të mbajë Marco Reusin, pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme rreth interesimit nga klubet si Bayern Munich, Manchester United dhe Atletico Madrid.

Reprezentuesi gjerman do të përfitonte shumë më tepër në rast të largimit nga Dortmund, por Watzke është optimist se 25-vjeçari nuk është futbollist i cili lejon që aspekti financiar të diktojë karrierën e tij.

“Ne duhet të presim dhe të shohim nëse mund të mbajmë Marcon. Por, e njoh shumë mirë dhe mund të them se tek ai paratë nuk janë gjëja më e rëndësishme”, deklaroi Watzke për të përditshmen gjermane “Der Westen”.

“Ne do të zhvillojmë biseda me të dhe do t’i ofrojmë një pako të plotë. Kam ndjenjën se të gjithë futbollistët tanë janë të lumtur në Dortmund. Nuk e kisha ndjenjën e njëjtë me futbollistët që u larguan në të kaluarën”, u shpreh ai.