Reus, bisedimet në pritje
Drejtori sportiv i Borussia Dortmundit, Michael Zorc ka bërë të ditur se klubi nuk i ka prioritet bisedimet për vazhdimin e kontratës me yllin Marco Reus.
Sport
Drejtori sportiv i Borussia Dortmundit, Michael Zorc ka pranuar se klubi i ka lënë në pritje bisedimet me Marco Reusin për vazhdimin e kontratës së tij në klub, në mënyrë që futbollisti të përqendrohet vetëm tek paraqitjet e tij në fushë.
Ylli gjerman ka kontratë me Dortmundin deri më 2017 me dëmshpërblim prej 25 milionë euro që do të hyjë në fuqi në fund të këtij sezoni.
“Asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket synimit tonë për vazhdimin e bashkëpunimit me Marcon”, deklaroi Zorc për “Sport Bild”.
“Por, sitata aktuale kërkon përqendrim nga të gjithë në klub. Prioriteti ynë është që të dalim nga kjo situatë e vështirë. Të tjerat vijnë pas kësaj”, u shpreh ai.
Çdo formë e vonesës në bisedime i shkon në favor Real Madridit dhe klubeve tjera të interesuara për Reusin, në lidhje me transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të verës.