Rënia nga Superliga e Kosovës, përgjegjësia dhe premtimi për rikthim të shpejt, flet kryetarja e Drenicës

Drenica edhe matematikisht edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës, për herë të parë në histori të klubit. Skuadra nga Skenderaj pak kohë më parë humbi të gjitha gjasat për të mbijetuar në elitën e futbollit kosovar këtë edicion. Së bashku me Prishtinën, Drenica ishte ekipi që…

Sport

11/05/2023 11:26

Drenica edhe matematikisht edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës, për herë të parë në histori të klubit. Skuadra nga Skenderaj pak kohë më parë humbi të gjitha gjasat për të mbijetuar në elitën e futbollit kosovar këtë edicion.

Së bashku me Prishtinën, Drenica ishte ekipi që nga paslufta ndodhej në mesin e skuadrave të Superligës së Kosovës, por jo edhe edicionin e ardhshëm.

Kryetarja e Drenicës, Mihane Kodra Bekteshi në një prononcim për lajmi.net zbuloi problemet me të cilat u ballafaqua klubi i saj e që ishte ndër shkaktarët për këtë rënie.

“Nuk e kam pritur. Është kohë shumë e gjatë që kam investuar dhe e kam ndihmuar klubin gjithmonë. Ne nga fillimi nuk e nisëm mirë. Në vend se të bëjmë ekip të mirë, neve na u është dashur të shlyejmë borxhe me shpresën që edicionin tjetër të forcohemi, por ndodhi kjo që ndodhi. Edhe unë si kryetare e klubit mund të them se jemi një ndër klubet më korrekte. Deri më sot jemi vetëm një pagë prapa” – tha Mihane Kodra Bekteshi të enjten për lajmi.net.

E pyetur se kujt i takon përgjegjësia për rënien e Drenicës nga elita, Bekteshi nuk përmendi emra, megjithëse pranoi se ajo ka kërkuar nga kryesia të sjellin emra të tjerë në ekip, edhe nëse çmimi i tyre do të ishte i lart ajo do të kujdesej për çështje.

“Ne si kryesi i kemi besuar dikujt. Unë nuk kam ditur me përzgjedh lojtarë. Nuk jam menaxhere ta di se cili lojtarë është më i mirë. Është dashur t’i besojmë dikujt. I kam besuar ta bëjmë një ekip të mirë. Unë kam shkuar në përgatitje në Shqipëri. Kam vizituar lojtarët. Kam mbajtur takim me kryesinë. U kam thënë ‘katër lojtarë, ku janë lojtarët më të mirë që neve na duhen duhet t’i merrni, nuk keni nevojë ta shiqoni çmimin. Ju gjejeni cilësinë, unë paguaj’. Unë ndihem jashtëzakonisht keq për këtë rënie”, theksoi ajo më tej.

E para e klubit kuqezi, për fund, premtoi se Drenica do të ngjitet shumë shpejt në kampionatin elitar të Kosovës.

“Unë shpresoj shumë të rikthehemi. Kemi pasur disa probleme. Shpresoj me një organzim shumë të mirë Drenica të rikthehet në Superligën e Kosovës shumë shpejt”, deklaroi kryetarja Mihane Kodra Bekteshi.

Pas 33 ndeshjeve të zhvilluara këtë sezon, Drenica pozicionohet në vendin e fundit me 23 pikë gjithsej./Lajmi.net/