‘ReMusica’ befasoi sërish publikun me muzikë akusmatike

Një mbrëmje e veçantë dhe e pazakontë ishte përgatitur të hënën në kuadër të festivalit ‘ReMusica’. E pazakonta qëndronte së pari në llojin e muzikës akusmatike.

ShowBiz

10/05/2016 14:00

Kjo muzikë krijohet përmes tingujve të ndryshëm të natyrës si: uji, shiu, murmurima, cicërimat e zogjve e gjithçka tjetër, pasta këta tinguj merren e transformohen dhe në atë mënyrë kompozohen.

Sigurisht të dëgjuarit e kësaj muzike kërkon edhe rehati. Nuk mund të konsumohet duke ndenjur ulur në një karrige. Për këtë kishin menduar edhe organizatorët e festivalit.

Në mesin e sallës së ASK-së, ishin vendosur copa tepihu dhe shumë jastëk që publiku të ulej dhe të gjente komoditetin e nevojitur për ta ndjerë muzikën në mënyrën më të mirë. Në këtë mbrëmje po na priste një publik tjetër prej asaj që zakonisht shohim në koncertet e ReMusices. Të rijnë e të reja, shpirt artistësh që dinin ta përjetonin muzikën siç është më së miri. Secili kishte marrë pozitën që i përshtatej por të gjithë sy mbyllur përjetuan tingujt e muzikës deri në fund. Kështu kjo muzikë solli një atmosferë të jashtëzakonshme, interesante dhe shumë atraktive.

“Sonte kishim një publik ndryshe, po besoj që ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për secilin prej tyre meqenëse kjo muzikë për dallim nga ajo instrumentale që e kemi dëgjuar dhe do ta dëgjojmë në vazhdim të festivalit, anulon pjesën vizuale sepse nuk ka interpret në skenë, në fakt sonte ishte Sophie por kjo quhet specializim, me çka nënkuptojmë shpërndarjen e tingullit në hapësirë.” tha për KultPlus, Donika Rudi.

Nata akusmatike belge mbahet çdo vit si pjesë e festivalit ‘ReMusica’ me ndihmën e ambasadës belge. /KultPlus.com