Remi për Specialen: Nuk e kemi votuar një gjykatë të këtij lloji
“Është shumë e vështirë të kuptohet kjo lloj drejtësie që po bëhet kundrejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtarëve”, thotë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa derisa flet për Gjykatën Speciale. Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se procesi gjyqësor në Hagë është tejzgjatur. Ai që njihet si komandant Remi ishte vetë…
Lajme
“Është shumë e vështirë të kuptohet kjo lloj drejtësie që po bëhet kundrejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtarëve”, thotë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa derisa flet për Gjykatën Speciale.
Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se procesi gjyqësor në Hagë është tejzgjatur.
Ai që njihet si komandant Remi ishte vetë dëshmitar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
“Është e rëndë të provohet, sikur unë siç kam qenë në atë gjykatë si dëshmitar, por unë pres që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të dal fituese, të dal e pastër edhe pse ajo është e pastër, po edhe bashkëluftëtarët e mi edhe aty të tregohet se janë të pafajshëm se duhet të ketë epilog me vendim, kjo gjykatë të marrë rrugën që sa më shpejt të përfundojë punën. Është stërzgjatur shumë. Nuk e di a do të këtë brenda rregullave që të arsyetohet, njerëzit në paraburgim pesë vjet dhe të mos përfundojnë ende dëshmitë. Krejt çka mundem me thënë është unikate dhe është shumë e vështirë për ta kuptuar këtë lloj drejtësie që bëhet kundrejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër Kosovës e kundër bashkëluftëtarëve të mi”, thotë Mustafa.
Rrustem Mustafa, dikur deputet i Kuvendit të Kosovës kishte votuar për themelimin e Gjykatës Speciale.
Ai thotë se nuk ka votuar për një gjykatë të tillë çfarë po funksionon sot.
“Unë jam njëri nga ata që kam votuar për Gjykatën e Hagës. Ne e kemi votuar me një mendim sepse është ngreh raporti i Dick Marty për akuza të caktuara të lajmëruara të organeve. Të gjitha ato akuza kanë rënë. Ne nuk kemi votuar një gjykatë të këtij lloji, çfarë sot po ndodh. Vlen të theksohet se në Kosovë ka pasur më së shumti gjyqe për krime të luftës. Nuk e di pse ka ndodh kjo, por e di se blloku ruso-serb është i fortë dhe ka prodhuar të pavërteta për luftën e fundit në Kosovë ku fajtorët kryesorë duan ta qesin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe popullin tonë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me aq pak ushtarë nuk mundet, me aq pak kohë të luftës frontale, nuk ka mundur të prodhojë situata ku munden me u emëruar krime lufte”, thotë Mustafa.
Mustafa thotë se ish-krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht dhe sipas tij, raste tilla janë trajtuar më parë nga UNMIK-u dhe EULEX-i.
“Të jesh para këtyre akuzave, para bashkë-luftëtarëve të mi që po akuzohen padrejtësisht edhe për akuza krejt jorelevante, që janë trajtuar në Hagë më përpara nga UNMIK, nga EULEX dhe nuk ka asgjë të vërtetë për ato që thuhet. Ato janë fjalë që janë të përgatitura nga njerëzit që nuk janë mirë të edukuar në kohët e kaluara, nuk kanë jetuar jetë të mirë, kanë jetuar keq dhe është përdorur jeta e keqe e atyre njerëzve dhe po përdoren si dëshmitarë para bashkë-luftëtarëve të mi”, thotë ai.
Ndaj Thaçit, së fundmi, është ngritur aktakuzë e re nga Specialja. Kësaj radhe për dyshime për përpjekje për të ndikuar në dëshmitarë.
“Është krejt e pajustifikuar, ata mbahen në paraburgim, pikërisht që mos të mundin të kenë qasje me njerëz për pengim të drejtësisë. Ata janë në burgun më të sigurt në botë dhe ata, Gjykata e Hagës, po e pranojnë se brenda mekanizmit të saj ka mundur të ketë ndërhyrje. Unë jam i sigurt që nuk ka pasur pse të ndërhyhet dhe nuk çka të ndërhyhet në këtë gjykatë. Ne flasim për gjykatën për çdo ditë, kudo që rrimë ne flasim për gjykatën, për ndërhyrjet në drejtësi dhe nuk ka mundësi të bëhen nga kushdo qoftë ai”, thotë Mustafa.
Aktakuza vjen ndërkohë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.
Ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor që aktualisht ndodhet në fazën e paraqitjes së provave nga ana e ZPS-së. Çështja e prokurorisë pritet të mbyllet në pranverën e vitit të ardhshëm, për t’i hapur rrugë çështjes së mbrojtjes.