​Rekord historik në “Adem Jashari”, mbi gjysmë milion pasagjerë vetëm në muajin gusht

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar një arritje historike gjatë muajit gusht të këtij viti, duke pritur mbi 500 mijë pasagjerë. Ky është numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe konsiderohet si një prej sukseseve më të mëdha të aeroportit ndërkombëtar që nga funksionalizimi i tij. Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, ka…

Lajme

04/09/2025 16:25

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar një arritje historike gjatë muajit gusht të këtij viti, duke pritur mbi 500 mijë pasagjerë. Ky është numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe konsiderohet si një prej sukseseve më të mëdha të aeroportit ndërkombëtar që nga funksionalizimi i tij.

Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, ka bërë të ditur për KosovaPress se rritja ka qenë e qëndrueshme që nga fillimi i vitit, që nga janari deri në qershor të këtij viti, ka shënuar rritje të pasagjerëve, rreth 16 për qind.

Gara ka thënë se është hera e parë që aeroporti ka shënuar gjysmë milion udhëtarësh brenda vetëm një muaji.

“Janari i këtij viti ka shënuar një rritje të numrit të udhëtarëve deri në muajin qershor rreth 16 për qind. Ndërkaq gjatë muajit gusht kemi arritur një rekord në numër të udhëtarëve – mbi 500 mijë. Çdo vit pothuajse kemi arritur rekord në numër të udhëtarëve, por është hera e parë që ne brenda një muaji shënojmë mbi 500 mijë udhëtarë apo gjysmë milioni udhëtarësh”, është shprehur Gara.

Sipas saj, destinacionet më të frekuentuara vazhdojnë të jenë Zvicra dhe Gjermania, të cilat prinë me numrin më të madh të udhëtarëve që udhëtojnë përmes këtij aeroporti. Pas tyre vijnë Turqia, Austria dhe vende të tjera evropiane e botërore.

Gara ka thënë se më 28 shtator me kompaninë EasyJet, udhëtarët do të mund të udhëtojnë në Lion të Francës dhe nga data 1 tetor do të ketë fluturime edhe për në Arabinë Saudite në Jeddah. Ndërkaq, këtë vit kanë filluar fluturimet edhe për Helsinki dhe Paris me GP Aviation dhe ASA Airlines.

“Akoma mbetet shteti zviceran dhe gjerman, të cilët prijnë me numër të udhëtarëve. Pas tyre vijnë Turqia, Austria dhe vendet e tjera evropiane e botërore. Sa i përket planifikimeve gjatë pjesës tjetër të vitit, më datë 28 shtator do të fillojmë me kompaninë EasyJet fluturime shtesë për qytetin e Lionit. Ndërkaq risi, të cilat kanë qenë gjatë kësaj sezone edhe fluturimet për Paris nga GP Aviation dhe ASA Airlines. Kemi pasur edhe fluturime të tjera nga GP Aviation siç është Helsinki. Ndërkaq, fluturimi tjetër nga data 28 shtator është me EasyJet, më 1 tetor fillojmë me fluturimet e tjera, të cilat janë për Arabinë Saudite, qytetin Jeddah”, ka thënë Gara.

Përkundër rritjes së fluksit të udhëtarëve, operimet në aeroport kanë funksionuar pa pengesa falë planifikimeve të mirorganizuara në infrastrukturë dhe në rritjen e stafit.

“Të gjitha planifikimet siç është rritja e kapaciteteve të infrastrukturës, shtimi i numrit të punonjësve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, të gjitha këto kanë rezultuar të mos kemi asnjë vonesë, përkundër faktit që kemi pasur rritje të numri të udhëtarëve. Asnjë vonesë, as anulim fluturimesh për shkaqe operative nga personeli i aeroportit apo nga operimet e aeroportit”, ka thënë Gara.

Kjo arritje e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës vlerësohet edhe si sukses për shtetin e Kosovës.

Aeroporti ka pasur vit të jashtëzakonshëm, me rritje të ndjeshme të numrit të udhëtarëve dhe një objektiv ambicioz për të arritur 4.5 milionë udhëtarë deri në fund të vitit 2025. Viti 2024 arriti në përfundimin e tij me mbi 4 milionë udhëtarë ose 19.20% më shumë se 2023, ndërsa numri i fluturimeve ishte 16.14% më shumë se 2023. E njëjta tendencë e këtij zhvillimi ka vazhduar edhe gjatë 2025