Refuzohet Ramadan Muja

Gjykata refuzon kërkesën e Ramadan Mujës për shtyrjen e gjykimit deri pas zgjedhjeve.

Lajme

10/10/2013 11:34

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja, ka kërkuar nga Trupi Gjykues që gjykimi ndaj tij të shtyhet, deri pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.

Kryetari aktual i Prizrenit, i cili po e kërkon mandatin e tretë, siç raporton PrizreniPress, deklaroi para Trupit Gjykues se mbajtja e gjykimit gjatë këtij muaj po ia pamundëson atij të jetë i barabartë me kundër-kandidatët e partive tjera që garojnë për këtë qytet.

“I nderuari gjyqtar! Po ju njoftoj se unë jam Kandidat për Kryetar të Prizrenit. Gjykimi që po mbahet ma pamundëson të jem i barabartë me kundër-kandidatët e tjerë, prandaj kërkoj që të shtyhet deri pas 3 nëntorit”.

Kërkesa e Mujës u refuzua nga Gjyqtari, Vladimir Mikula. Ai tha se seancat gjyqësore do të vazhdojnë sipas parashikimeve dhe mundësisë së gjykatës.

“Të kuptoj në aspektin njerëzor, por ne do t’ju trajtojmë si çdo person tjetër”.

“E kuptoj se në luftën politike seancat gjyqësore mund të ndikojnë dhe krijojnë përparësi për kundër-kandidatëve , por sa i përket trupit gjykues ju ende jeni i pafajshëm”.

Në seancën e sotme, siç raporton PrizreniPress, Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha,  ka qenë dëshmitari i parë kundër Mujës dhe drejtorëve të tij. Ai akuzoi Mujën për ndalimin e gjeodetëve në rastet gjyqësore të Gjykatës.

“Kryetari Muja ka marrë një konkluzion në të cilën nuk ka lejuar që gjeodetët të marrin pjesë në Gjykatë”.

“Unë pasi që jam informuar kam mbajtur një mbledhje me gjyqtaritë dhe kemi kërkuar nga Kryetari që të tërhiqet nga ky vendim sepse është i kundërligjshëm. Jam takuar më një mik të Mujës dhe në mënyrë shoqërore i kam thënë që t’i tregojë Mujës që të shfuqizojë atë vendim të kundër-ligjshme. Muja pastaj më ka marrë në telefon dhe më ka thënë pse me ke dërguar ndërmjetësues”.

Hoxha tha se për këtë çështje është takuar edhe me Nënkryetarin e Komunës, Ruzhdi Rexhaj.

“Rexhaj nuk ishte i informuar për këtë vendim. Ai më premtoi se do të flas me kryetarin po sa të kthehej nga SHBA’të”.