Refuzohen propozimet e mbrojtjes, Naim Murseli nis dhënien e dëshmisë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të enjten, trupi gjykues ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për plotësimin e procedurës së provave. Ndërkaq, i akuzuari Murseli nisi dhënien e mbrojtjes. Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt…

Lajme

29/01/2026 10:36

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të enjten, trupi gjykues ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për plotësimin e procedurës së provave. Ndërkaq, i akuzuari Murseli nisi dhënien e mbrojtjes.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, njoftoi se mbrojtësi i Kushtrim Kokallës, avokati Ndrecë Dodaj më 30 dhjetor 2025 ka parashtruar kërkesë për dëgjimin e dëshmitarit Tafil Kokalla.

Ndërsa, më 22 janar 2026, sipas gjyqtares, mbrojtësi i Granit Plavës, avokati Skender Gojani, ka kërkuar nxjerrjen e një ekspertize shtesë për gjendjen psikike të Plavës në kohën e kryerjes së veprës penale.

Gjyqtarja Dermaku tha se mbrojtësit e të akuzuarit Naim Murseli, avokatët Shemsedin Piraj dhe Teuta Zhinipotoku, kanë kërkuar rikonstruimin e vendit të ngjarjes.

“Avokati i të akuzuarit, Kushtrim Kokalla Ndrec Doda ka propozuar dëgjimin e dëshmitarit Tafil Kokalla në cilësi të dëshmitari, ndërsa me  23 janar 2026 mbrojtësi i të akuzuarit, Granit Plava, Skender Gojani ka parashtruar kërkesë me të cilën ka kërkuar nxjerrjen e një ekspertize shtesë lidhur me gjendjen psikike të Granit Plava në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe më 27 janar 2026 mbrojtësit e të akuzuarit, Naim Musreli avokatit Teuta Zhinipotoku dhe Shemsedin Piraj kanë parashtruar kërkesë me të cilën kanë kërkuar të bëhet rikonstruiimi i vendit të ngjarjes të shtjellohet si provë CD komunikimi i tij mes të akuzuarit dhe fëmijëve të tij  si dhe kërkohet hartografia e telefonave që janë marr në ditën kritiken”, tha ajo.

Lidhur me propozimin e avokatëve Dodaj dhe Gojani, prokurorja Javorka Perlinçeviq përmes parashtresës ka deklaruar se këto propozime ia lë gjykatës të vendosë.

“Në seancën e mbajtur më 22.12 .2025 gjykata të gjitha palëve iu ka dhënë mundësinë që propozimi për nxjerrjen e provave të reja t’i dorëzojnë deri më datën 09 janar 2026 konsideroj se ky propozim është dorëzuar jashtë afatit ligjore dhe që nuk është respektuar udhëzimi i gjykatës dhe i njëjti nuk duhet të pranohet”, tha ajo.

Kurse, për propozimet e mbrojtjes së Murselit, prokurorja theksoi se ka parë se kanë propozimet për prova shtesë më 27 janar 2026. Tha se më 22 dhjetor 2025, Gjykata të gjitha palëve ua ka dhënë mundësinë që propozimet për nxjerrjen e provave të reja t’i dorëzojnë deri më 9 janar 2026.

Prokurorja tha se konsideron që ky propozim është dorëzuar jashtë afatit ligjor dhe se nuk është respektuar udhëzimi i gjykatës, andaj duhet refuzuar.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leonard Ademaj, avokati Leotrim Syla kundërshtoi rikonstruimin e vendit të ngjarjes, me arsyetimin se është zvarritje e procedurës.

“Edhe në përmbajtjes përveç çështjes së afatit  e kundërshtojmë rikonstruimin e vendit të ngjarjes konsiderojmë se është zvarritje e procedurës nuk ka as edhe një fakt që ka me ndërruar nga ajo çka ka deklaruar i pandehuri gjatë marrjes në pyetje dhe duke ditur se rikonstriuimi bëhet me dëshmitarë duke i marr në pyetje veç e veç tashmë është fakt se aty dëshmitarë nuk kemi pas si rrjedhojë dhe nuk ka se si të kryhet  ky rikonstustrim për të vërtetuar një gjendje tjetër faktike. Për propozime e mbrojtësve e të akuzuarëve Granit dhe Kushtrim lidhur me propozimin e mbrojtësit Granit Plavës konsiderojmë se ekspertiza e pranuar për të njëjtin ka qenë e plotë si në përmbajtje ashtu edhe në metodologji si rrjedhojë. Konsiderojmë se duhet të refuzohet ky propozim pasi që është edhe në kundërshtim me parimin e ekonomizimit dhe nuk di se çka ka me vërtetu më tepër se ekspertiza e parë. Në raport me propozimin e avokatit Ndrec Dodaj që të akuzuarit Kushtrim Kokalla konsiderojmë se secili dëshmitarë që mund të na sqaroj më shumë lidhur me këtë çështje është në interes edhe tonin dhe gjithë të pranishëm kështu që nuk e kundërshtojmë“, theksoi ai.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, refuzoi propozimin e mbrojtjes për plotësim të provave. Pra, u refuzua propozimi i avokatit Dodaj, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit të propozuar nk është relevante dhe nuk kontribuon në ndriçimin e çështjes. Gjithashtu, u refuzua propozimi i avokatit Gojani, me arsyetimin se është propozim i pabazuar dhe i pambështetur në prova konkrete.

Ndërkaq, propozimin e mbrojtjes së Murselit e refuzoi për arsye se vlerësoi se janë elaboruar provat mjaftueshëm, andaj bazuar në parimin e efikasitetit, këto propozime u refuzuan për të vazhduar me dëgjimin e Murselit.

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 10 dhjetorit 2025, ndryshoi vendimin e Themelores, duke e dënuar Dodajn me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.