Redi Jupi: Kosova s’është më e fortë se ne, Zeneli është si Roshi

Analisti shqiptar i futbollit, Redi Jupi ka dhënë deklarata të forta në emisionin ‘Procesi Sportiv’, ku u diskutua rreth dy kombëtareve, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Sport

18/06/2019 08:40

Jupi beson se Shqipëria është forcuar nga lojtarët dhe fansat kosovarë, por beson ende se ‘Dardanët’ nuk janë më të fortë se ‘Kuqezinjët’, pavarësisht nga sukseseve e fundit të ekipit të Bernard Challandes.

“Deklaratat e mia shumë shpesh janë keqinterpretuar në Kosovë nga qarqe të ndryshme, por edhe një herë, Shqipëria është forcuar nga koha kur ka marrë futbollistë nga Kosova, që kemi nisur me Hasin, Beqajn e Canën”, tha Jupi, transmeton lajmi.net .

“Më pas, tifozët nga Kosova kanë ardhur dhe na kanë mësuar se si mbështetet Kombëtarja”.

”Rashica, Zeneli, Muriqi dhe Rrahmani kanë bërë ngritje të jashtëzakonshme, çka i ka ndihmuar Kosovës që të ketë suksese kohëve të fundit”.

“Kosova nuk ka ekip më të mirë se Shqipëria. Të jeni të bindur se Kosova nuk është aspak më e fortë se Shqipëria”, shtoi Jupi.

“Dallimi është se Kosova po i merr maksimumin futbollistëve, ndërsa jo. Nga lojtarët e Kosovës vetëm një lojtar mund të luajë në Shqipëri, Milot Rashica, asnjë tjetër”.

Përderisa e konsideron se vetëm ylli i Werder Bremenit mund ta vesh fanellën e kuqezi, Redi Jupi thotë se Arbër Zeneli është në të njëjtën linjë me Odise Roshin, i cili nga shuma e kampionatit në Rusi ka ndjekur nga rezerva bankare.

”Me Rashicën nuk krahasohet asnjëri, me Zenelin futet Roshi në garë “, potencoi ai. /Lajmi.net/