Reçica: Kosovës i duhet përgjegjësi shtetërore, jo fitore partiake

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka reaguar lidhur me situatën politike dhe mosfunksionimin e plotë të institucioneve, duke vlerësuar se kjo gjendje po ndikon edhe në besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës. Reçica tha se orientimi strategjik i Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave euroatlantike nuk dëshmohet vetëm përmes deklarimeve, por edhe përmes funksionimit…

Lajme

21/08/2026 20:31

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka reaguar lidhur me situatën politike dhe mosfunksionimin e plotë të institucioneve, duke vlerësuar se kjo gjendje po ndikon edhe në besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.

Reçica tha se orientimi strategjik i Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave euroatlantike nuk dëshmohet vetëm përmes deklarimeve, por edhe përmes funksionimit të shtetit, stabilitetit institucional dhe aftësisë për zbatimin e reformave.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore për krijimin e institucioneve i takon Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues i zgjedhjeve.

“Një mandat më i madh qytetar nënkupton edhe përgjegjësi më të madhe për të ofruar zgjidhje”, ka deklaruar Reçica, duke kërkuar nga VV-ja më shumë iniciativë për dialog, fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis.

Ai theksoi se kompromisi politik brenda rendit kushtetues nuk duhet parë si dobësi, por si tregues i pjekurisë demokratike dhe aftësisë për udhëheqje.

Reçica paralajmëroi se zgjatja e pasigurisë institucionale mund të dëmtojë interesat strategjike të Kosovës dhe rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

“Nëse Evropa është zgjedhja jonë strategjike, standardet e saj duhet të reflektohen edhe në kulturën tonë politike. Sot, më shumë se një fitore partiake, Kosovës i duhet përgjegjësi shtetërore”, përfundoi Reçica.