Receta vjeshtore: Omleta me patate – E shpejtë, e thjeshtë dhe e shijshme
Ndiqeni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së saj, për ta gatuar shpejt e shpejt çdo mëngjes në shtëpitë tuaja.
Lifestyle
Një nga arsyet që mëngjeset të nisin mirë, janë pa dyshim ushqimet e mrekullueshme të cilat i shoqërojnë. Sa më i bollshëm dhe më i shijshëm të jetë mëngjesi, me po aq energji do të nisë edhe dita.
Kështu që çfarëdo që të bëni, mos e lini kurrë mëngjesin pa ngrënë. Në mënyrë që të merrni çdo energji të nevojshme që me tu zgjuar nga krevati.
Kjo recetë mund të serviret për katër persona, ndaj ju mund ta përgatisni për të gjithë familjen si një vakt të shijshëm e të ngrohtë.
Përbërësit
6 vezë
2 patate mesatare
2-3 qepë të njoma
gjysmë qepe të verdhë
60 ml vaj ulliri
kripë
Përgatitja
Për të nisur këtë recetë lani dhe qëroni patatet me kujdes.
Pritini në feta të holla rrumbullake dhe skuqini në një tigan të nxehur me vaj ulliri.
Lërini ato të skuqen derisa të marrin ngjyrë të artë nga të dyja anët dhe të zbuten pak.
Bëjeni këtë me të gjithë rrathët e patateve herë pas here, derisa të mbarojnë.
Në fund vendosini në një pjatë të shtruar me letër thithëse kuzhine.
Pastrojeni më pas tiganin me kujdes dhe bëjeni gati sërish për skuqje, duke i hedhur 1 lugë gjelle vaj.
Pasi të keni hequr patatet, tek tigani shtoni qepët e njoma të grira dhe gjysmën e qepës së verdhë, po ashtu të grirë.
Lërini qepët të skuqen derisa të zbuten dhe të marrin ngjyrë, e më pas sipër shtroni një nga një patatet që përgatitët më parë.
Sigurohuni që qepët të jenë përhapur mirë nëpër të gjithë sipërfaqen e tiganit, po ashtu edhe fetat e patateve që vendosët sipër.
Ndërkohë në një enë të thellë rrihni me kujdes të gjitha vezët dhe shtojini tek tigani me patatet.
Shtoni pak kripë dhe tundni pak tiganin, në mënyrë që veza e rrahur të përhapet mirë.
Më pas lëreni në zjarr në nxehtësi mesatare, derisa të shikoni që e gjithë veza sipër është gatuar dhe mpiksur, gati për t’u ngrënë.
Lëreni të gatuhet për rreth 20 minuta dhe gjatë 5 minutave të fundit ngrini pak nxehtësinë e zjarrit, në mënyrë që sipërfaqja e omletës të marrë ngjyrë të artë.
Kur të jetë gati hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak, më pas mund ta prisni sipas dëshirës dhe t’a shërbeni.
Këtë omletë mund ta konsumoni direkt pasi e keni përgatitur apo mund ta ruani deri ne 2-3 ditë të mbyllur në frigorifer./Lajmi.net/