Receta e vërtetë e sheqerpares turke

18:36 | 30 Dhjetor 2018

Në ndryshim nga bakllavaja, e cila njihet zyrtarisht si ëmbëlsira e festave qofshin këto me karakter fetar apo Viti i ri, sheqerparja është një nga ato ëmbëlsira që mund ta bëni në çdo moment. Sot kemi sjellë për ju versionin turk të saj. Na besoni, do të lëpini gishtat kur ta provoni. Dhe duke qenë se jemi shumë afër festave, ja ku keni një ide të mirë për ëmbëlsira.

Përbërësit për brumin e copave të sheqerpares (dalin afërsisht 20 copë prandaj mund të bëni dhe gjysmë doze): 125 g gjalpë i tretur i vakët, 200 g sheqer,2 vezë,100 g miell misri i bluar imët (semola), 1 lugë e vogël me lëkurë limoni të grirë, 1 bustinë sodë për ëmbëlsira, 1 bustinë vanilje, 280 g miell 00, disa kokrra lajthi të qëruara, për zbukurim

Për shërbetin: 4 gota ujë (250ml një gotë), 3 gota sheqer dhe lëngu i ½ limoni.

Përgatitja: Në fillim përgatisim shurupin: hedhim sheqerin dhe ujin në një tenxhere, i përziejmë dhe i lëmë në flakë të ulët dhe kur të marrë valë shtojmë lëngun e limonit. E lëmë në zjarr të valojë për 15 minuta. Më pas e lëmë të ftohet. Përgatisim biskotat: në një tas përziejmë sheqerin me gjalpin, shtojmë vezët dhe më pas miellin e misrit. Shtojmë lëkurën e grirë të limonit, vaniljen dhe sodën me sitë. Tani fillojmë të shtojmë pjesë-pjesë miellin, aq sa të bëhet brumë që të punohet me dorë dhe të mos ngjisë. E lëmë të pushojë të mbuluar me plastmasë kuzhine për 30 minuta, në temperature ambienti.

Pas 30 minutash bëjmë me brumin topa të vogla sa një kokërr arre, i vendosim në tavën e furrës të lyer me gjalpë, vendosim te secila një kokërr lajthi dhe i fusim të piqen me 180° në furrën e ngrohur më pare për 15/20 minuta ose derisa të shohim që kanë marrë ngjyrë. I nxjerrim nga furra dhe me garuzhde i hedhim sipër shurupin e ftohtë, hedhim sipër çdo biskotë. Të nesërmen janë gati. /Living/