“Realiteti paradoksal”, Cakolli: Kurti po i propozon buxhet Kuvendit që të dielën e refuzoi për kryeministër

Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka reaguar pasi Qeveria në detyrë sot e ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2026. Ai ka bërë me dije se kjo është një situatë paradoksale dhe jo ligjore. Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se buxheti i vitit të ardhshëm po i propozohet Kuvendit nga një deputet…

Lajme

31/10/2025 12:28

Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka reaguar pasi Qeveria në detyrë sot e ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2026.

Ai ka bërë me dije se kjo është një situatë paradoksale dhe jo ligjore.

Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se buxheti i vitit të ardhshëm po i propozohet Kuvendit nga një deputet që vetëm pak ditë më parë u refuzua si kandidat për Kryeministër.

“Me votimin e buxhetit nga Qeveria në detyrë dhe procedimin e tij në Kuvend, po merr formë një shkelje ligjore që duket si pjesë e një loje politike të menduar mirë. Sot jemi përballë një realiteti aq absurd sa edhe paradoksal: – Buxheti i vitit të ardhshëm po i propozohet Kuvendit nga një deputet që vetëm pak ditë më parë u refuzua si kandidat për Kryeministër. I njëjti tash po vepron si Kryeministër në detyrë dhe po ia dërgon po atij Kuvendi projektbuxhetin për miratim. – Shumica e (ish-)ministrave që morën pjesë në miratimin e këtij buxheti në Qeveri do të votojnë për të përsëri në Kuvend, veçse tash nga funksioni i deputetit. Pra, dy vota “pro” për të njëjtin projektligj, nga dy pozita të ndryshme – konflikt ky i pastër interesi”, ka shkruar ai, duke treguar se qeveria aktuale nuk ka drejtë ta bëj një gjë të tillë.

“- Projektbuxheti është përgatitur dhe propozuar nga (ish-)Ministri i Financave, të cilit Gjykata Supreme i kishte anuluar një udhëzim administrativ pikërisht për shkak të papajtueshmërisë së mandatit të tij. I njëjti tash vazhdon të njëjtën shkelje, por këtë herë për ligjin më të rëndësishëm të vitit – buxhetin e shtetit. Prandaj, çështja nuk është te buxheti, por tek mënyra si po shkelet ligji në emër të tij. Duke e shitur këtë si një lajm të mirë për qytetarët – përmes rritjes së pagave, pensioneve, ndihmave sociale e beneficioneve të tjera – po tentohet të krijohet përshtypja se kush nuk e përkrah buxhetin, është kundër qytetarëve. Pra, po krijohen kushtet e përzierjes së qëllimshme të ligjshmërisë me populizmin, për ta bërë të padukshme shkeljen. E nëse ligji shkelet sot në emër të pagave e pensioneve, nesër do të mund të shkelet në emër të çdo gjëje tjetër”, ka shkruar ai.