Real Madrid i ashpër me Mbappe – ose eja në verë si agjent i lirë, ose s’do luash kurrë për “Galaktikët”

Real Madrid është duke u shqetësuar për të ardhmen e yllit të PSG-së, Kylian Mbappe.

Sport

20/02/2022 18:29

Sipas “The Times”, “Los Blancos” i kanë dërguar mesazh të qartë francezit, ose do e kompletojë transferimin si agjent i lirë në verë, ose asnjëherë nuk do luajë kurrë në fanellën e Realit, transmeton lajmi.net.

Mbappe ka të drejtë të negociojë me çdo skuadër jashtë Francës, pasi kontrata i skadon në verë dhe raportohet se ka një marrëveshje në parim me klubin madrilen.

Sidoqoftë, vazhdimisht ka spekulime që PSG është duke negociuar me familjarët dhe agjentët e Mbappe, me synimin t’ia vazhdojnë qëndrimin në “Parkun e Princave” edhe për një kohë të shkurtër.

E për këtë gjë, Real Madrid synon që të mos realizohet dhe këtë ia kanë bërë me dije me vërejtjen e fundit që i kanë dhënë, duke ia bërë të qartë se nëse rinovon, nuk do luajë asnjëherë në “Santiago Bernabeu” si lojtar i klubit spanjoll.

Mbappe që shënoi golin e vetëm në fitoren e PSG-së ndaj Realit në javën e kaluar, ka konfirmuar se ende s’ka vendosur për të ardhmen./Lajmi.net/