Reagon OVL-UÇK pas aktakuzës së ndryshuar ndaj Thaçit: Qasje e padrejtë dhe e njëanshme

OVL-UÇK në një reagim publik ka thënë se me shqetësim të thellë kanë ndjekur lajmin për dorëzimin e një aktakuze të ndryshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, ku pretendohet për një formë të re të përgjegjësisë penale,kinse për “shtytje” në pengimin e personave zyrtarë. Në reagim thuhet se…

Lajme

17/04/2025 15:54

OVL-UÇK në një reagim publik ka thënë se me shqetësim të thellë kanë ndjekur lajmin për dorëzimin e një aktakuze të ndryshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, ku pretendohet për një formë të re të përgjegjësisë penale,kinse për “shtytje” në pengimin e personave zyrtarë.

Në reagim thuhet se ky veprim dëshmon qartë vazhdimin e një qasjeje të padrejtë dhe të njëanshme ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare dhe shtetformuese të Kosovës.

“Përfshirja e Thaçi në një çështje që nuk ka asnjë lidhje me akuzat e mëparshme për të cilat po mbahet në paraburgim, është tregues se synimi nuk është drejtësia, por zgjatja e procesit dhe njollosja e qëllimshme e figurave që përfaqësojnë simbolin e rezistencës dhe lirisë së popullit tonë”, thuhet në reagim.

“Kjo gjykatë është shndërruar në një instrument të padrejtësisë ndërkombëtare, ku veprimet e saj janë shpesh të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës penale. Është e papranueshme që në emër të drejtësisë të përdoren metoda që duken më shumë si mjete presioni sesa si standarde ligjore të një gjykate ndërkombëtare. Tentimi për ta ngarkuar Thaçin me përgjegjësi për vizita të lejuara nga vetë autoritetet, gjatë kohës sa ishte në paraburgim, është i pabazë dhe politikisht i motivuar”, vijon reagimi.

OVL-UÇK ka ftuar opinionin publik, institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të reflektojnë mbi këtë qasje selektive dhe të ndalojnë një proces që po përdoret për të rishkruar historinë dhe për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së. /Lajmi.net/