Reagon Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në reagimin e tij të parë pas intervistimit nga EULEX, e ka quajtur propagandë dhe pa asnjë bazë të vërtetë implikimin e tij në ‘prerje flokësh’ dhe ‘prerje buzësh’ të të burgosurve nga ish UÇK’së.

Lajme

20/12/2013 20:05

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një deklarate, ka thënë se sa herë të kërkohet dhe nga kushdo që kërkohet do të jetë i gatshëm të sqarojë dhe të mbrojë pastërtinë e luftës çlirimtare.

Në reagimin e tij të parë pas intervistimit si i dyshuar për krime lufte nga një prokuror ndërkombëtar i EULEX’it, Krasniqi e ka quajtur propagandë dhe pa asnjë bazë të vërtetë implikimin e tij në ‘prerje flokësh’ dhe ‘prerje buzësh’ të të burgosurve nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Përmes deklaratës së 15 nëntorit 2013 e njoftova opinionin publik për motivet e vërteta të propagandës për gjoja implikimin tim në ‘prerje flokësh’ dhe ‘prerje buzësh’ të të burgosurve nga UÇK’ja!”.

“Kjo propagandë, pa asnjë bazë të vërtetë, synonte të relativizojë krimet serbe në Kosovë sidomos kur ato çdo ditë e më tepër po dalin në shesh nga protagonistët që kanë kryer vrasje më mizore kundër shqiptarëve në Kosovë”.

“Edhe pse autoritetet e hetuesisë së EULEX’it ishin të bindur se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë propagandë, unë u ftova që të jap mendimin tim lidhur me këtë çështje”.

“Jemi duke jetuar në një kontekst të veçantë historik ku shpifjet kundër personaliteteve të ndryshme, madje edhe kundër një lufte çlirimtare, bëhen përmes mediave dhe askush nuk merret në përgjegjësi të sqarojë shpifjet e tilla”.

“Demantet përmes deklaratave publike nuk mjaftojnë! Duhet të shkohet edhe në zyrat e hetuesisë për t’u sqaruar! Ketë e bëra unë sot me gatishmërinë për të ndihmuar drejtësinë dhe të vërtetën për luftën në Kosovë 1998/99”.

“Sa herë të kërkohet dhe nga kushdo që kërkohet, unë jam i gatshëm të sqaroj dhe të mbroj pastërtinë e luftës sonë çlirimtare”.

“Për ata që nuk e kanë lexuar reagimin tim të mëparshëm, po kërkoj nga mediat ta botojnë me qëllim që të kuptohet arsyeja e reagimit tim të shkurtër”, ka përfunduar deklaratën e tij Jakup Krasniqi.

Veturat e Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi në Selinë e EULEX’it në Fushë-Kosovë. | Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Më poshtë gjeni deklaratën e 15 Nëntorit të Kryeparlamentarit Krasniqi.

“Gjatë gjithë periudhës së luftës çlirimtare në Kosovë strategjia serbe ishte e përqendruar në njollosjen e saj. Këto përpjekje ishin shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse”.

“Kjo strategji u intensifikua sidomos pas tërheqjes së forcave okupuese nga Kosova. Njollosja e personaliteteve më të shquara të UÇK-së, duke filluar që nga Komandanti i saj Legjendar, Adem Jashari, e deri te ushtarët e thjeshtë kishte për qëllim të relativizohen krimet e shtetit serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë”.

“Ditëve të fundit, kur edhe mediat serbe, në të njëjtën shkallë si ato të vendeve tjera ballkanike dhe më gjerë, publikuan dëshmitë tronditëse të policit serb, Sllobodan Stojanoviqit, se gjatë luftës në Kosovë kokat e shqiptarëve të vrarë janë prerë dhe nga kafkat e tyre janë bërë llamba tavoline, çohen argatët e rinj të politikës së vjetër serbe dhe publikojnë në portalet në gjuhën shqipe gënjeshtrën për gjoja implikimin tim në ‘prerje flokësh’ dhe ‘prerje buzësh’ të të burgosurve nga UÇK-ja!”.

“Të gjithë e dinë se këto shkrime skandaloze, që nga titulli e deri te përmbajtja, nuk kanë asgjë të vërtetë. Edhe përpiluesit dhe shpërndarësit e këtyre dezinformatave e dinë këtë gjë!”.

“Qëllimi i vetëm i tyre është të relativizohet krimi serb ndaj shqiptarëve në Kosovë! Në kontekstin e fundit, qëllimi imediat i strategjisë serbe dhe argatëve të tyre është të harrohen llambat e tavolinës nga kafkat shqiptare! Megjithatë, sado që të përpiqen ta zhvendosin vëmendjen, kafkat e shndërruara në llamba hedhin dritë mbi mizoritë serbe në Kosovë!”.