Peci flet si “hero” pas aksionit që u zhvillua dje tek ministria e tij: Për të luftuar krimin e korrupsionin jam i gatshëm çdo ditë të vdes

Ministri Faton Peci ka reaguar përmes një video në Facebook për të sqaruar opinionin publik lidhur me foton që qarkulloi duke pretenduar se ai mbrëmë kishte mbetur në zyrën e tij deri në orët e vona të natës duke fshehur dokumente. Peci mohoi akuzat e tilla duke treguar se gjatë tërë ditës ishte në lëvizje…

Lajme

21/03/2025 14:53

Ministri Faton Peci ka reaguar përmes një video në Facebook për të sqaruar opinionin publik lidhur me foton që qarkulloi duke pretenduar se ai mbrëmë kishte mbetur në zyrën e tij deri në orët e vona të natës duke fshehur dokumente.

Peci mohoi akuzat e tilla duke treguar se gjatë tërë ditës ishte në lëvizje nëpër qytetet e Kosovës, teksa në mbrëmje siç thotë ai pasi e ka shikuar ndeshjen e Kosovës ka shkuar për ta marrë veturën para Ministrisë së Bujqësisë, transmeton lajmi.net.

“Të dashur qytetarë, dita e djeshme ishte e ngarkuar ashtu si çdo ditë e këtij mandati. Zhvillova aktivitete në Gjakovë, Deçan, Pejë, Istog dhe Gjilan. Mbrëmjen e përfundova në Prishtinë ku ndoqa ndeshjen e Kosovës në futboll. Pas mesnatës mora veturën para ministrisë dhe u ktheva në shtëpi. Në orët e vona, një hibrid kriminel kishte qenë i porositur para ministrisë që duket se ishte duke kryer detyrën për të cilën paguhet, veproi sipas shpifjes së zakonshme duke raportuar se ministri ka qëndruar deri në orën 12 të natës në zyre duke fshehur dosje”, thotë Peci.

Në fund, ministri Peci duke folur si “hero”, ka thënë se “është i gatshëm të vdes çdo ditë” teksa lufton krimin, korrupsionin dhe teksa mbron dinjitetin e tij personal.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka bastisur të enjten Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarise dhe Zhvilimit Rural.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet janẽ autorizuar nga Drejtoria e Hetimit te Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) me qëllim të mbledhjes dhe sigurimit të provave për ta sqaruar rrethanat e çështjes, Zyrtarët e Ministrisë, sipas njoftimit, dyshohen për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, ” Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”./Lajmi.net/