Reagon Don Shan Zefi: Pretendimi se kam deklaruar se “si musliman nuk ke shpirt shqiptari” është shtrembërim

Don Shan Zefi ka reaguar pas interpretimeve që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe në disa media lidhur me një intervistë të tij në radion gjermane Deutschlandfunk, duke i cilësuar ato si shtrembërim të qëllimshëm të fjalëve të tij. Në një reagim në Facebook, Zefi mohon kategorikisht pretendimet e shkruara në media se ka thënë…

Lajme

21/02/2026 21:17

Don Shan Zefi ka reaguar pas interpretimeve që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe në disa media lidhur me një intervistë të tij në radion gjermane Deutschlandfunk, duke i cilësuar ato si shtrembërim të qëllimshëm të fjalëve të tij.

Në një reagim në Facebook, Zefi mohon kategorikisht pretendimet e shkruara në media se ka thënë për radion gjermane se “si musliman nuk ke shpirt shqiptari”, duke theksuar se një formulim i tillë nuk përfaqëson as mendimin e tij në intervistë dhe as qëndrimin e tij publik ndër vite.

“Pretendimi se unë kinse kam deklaruar se: “si musliman nuk ke shpirt shqiptari” është një shtrembërim i qëllimshëm dhe manipulim i fjalëve të mia. Një formulim i tillë nuk përfaqëson mendimin tim në intersvistë, dhe as qëndrimin tim publik, të cilin e kam dëshmuar për dekada të tëra përmes veprës sime meshtarake, shkencore dhe kombëtare”, thuhet në reagimin e Zefit.

Sipas tij, në intervistë ka mbrojtur identitetin dhe traditën shqiptare, duke nënvizuar se shqiptaria është një vlerë historike, kulturore dhe shpirtërore që duhet ruajtur nga ndikimet që nuk përputhen me traditën kombëtare. Ai shton se çdo interpretim tjetër është tendencioz dhe synon të krijojë përçarje ndërfetare.

“Në intervistën në fjalë kam mbrojtur identitetin dhe traditën shqiptare, duke theksuar se shqiptaria është një vlerë historike, kulturore dhe shpirtërore që duhet ruajtur nga ndikimet e huaja që nuk përputhen me traditën dhe kulturën tonë kombëtare. Çdo interpretim tjetër është tendencioz dhe synon të krijojë përçarje ndërfetare dhe të dëmtojë figurën time publike”, thuhet më tej në reagim.

Zefi bën të ditur se kjo nuk është hera e parë që përballet me, siç i quan ai, manipulime dhe falsifikime publike, duke rikujtuar se edhe në raste të mëparshme janë ndërmarrë veprime ligjore. Ai paralajmëron se edhe në këtë rast do të ndiqen rrugët institucionale për të zbardhur të vërtetën.

Ndërkohë, sipas tij, po bëhen përpjekje që intervista të publikohet e plotë dhe pa ndërhyrje, në mënyrë që opinioni publik të gjykojë mbi bazën e fakteve.

Në fund të reagimit, Zefi thekson se gjatë gjithë jetës së tij ka punuar për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për bashkëjetesën ndërfetare, pa dallim besimi, duke kërkuar nga ata që kanë përhapur interpretime të pavërteta të ndalojnë manipulimin dhe të kërkojnë falje publike.

“Prandaj kërkoj nga ata që kanë shtrembëruar fjalët e mia dhe kanë përhapur interpretime të pavërteta që të ndalojnë këtë manipulim dhe të kërkojnë falje publike për dëmin e shkaktuar opinionit dhe harmonisë ndërmjet shqiptarëve. Unë do të vazhdoj, si gjithmonë, të mbroj vlerat shpirtërore, kulturore dhe kombëtare të popullit shqiptar me përkushtim dhe përgjegjësi”, shkruan ai.