Reagimet ndaj emërimit të mandatari të ri të Qeverisë së Serbisë: Nxitës i dialogut apo zbatues i vullnetit të Vuçiqit?

Nga lëvdatat se si një figurë jopartiake do të nxisë dialogun në shoqëri, e deri te vlerësimet se do të udhëheqë një Qeveri të njëjtë dhe do të zbatojë urdhrat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq – janë reagimet ndaj emërimit të mjekut Gjuro Macut si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.…

Lajme

07/04/2025 14:06

Nga lëvdatat se si një figurë jopartiake do të nxisë dialogun në shoqëri, e deri te vlerësimet se do të udhëheqë një Qeveri të njëjtë dhe do të zbatojë urdhrat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq – janë reagimet ndaj emërimit të mjekut Gjuro Macut si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.

Kryeministri në mandat teknik, Millosh Vuçeviq, deklaroi më 7 prill se mandatar Gjuro Macut dhe Qeveria e re duhet të sjellin energji të re.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS), ai tha se Macut është një person “që mund të hapë dialogun shoqëror”, sepse nuk është i ngarkuar me “disa gjëra nga periudha e kaluar”.

“Nuk e di nëse është e mundur të arrihet konsensus, por besoj se është e mundur të zhvillohet bisedë dhe dialog. Zgjidhja nuk qëndron te bllokadat dhe hedhja e vezëve”, tha Vuçeviq.

I pyetur nëse ka sinjale se një dialog i tillë mund të ndodhë, ai tha se kjo do të shihet në periudhën e ardhshme.

“Besoj se dialogu është i mundur dhe jam i sigurt që është i domosdoshëm, por Serbia nuk ka shumë kohë për të pritur, duhet të ecë përpara”, tha Vuçeviq.

Presidenti Vuçiq njoftoi të dielën se doktori i endokrinologjisë, Gjuro Macut, është mandatar për përbërjen e re të Qeverisë së Serbisë. Macut është anëtar i këshillit nismëtar për formimin e “Lëvizjes për popullin dhe shtetin” të Vuçiqit.

Vuçiq, në adresimin e tij para publikut, tha se Qeveria e re do të zgjidhet deri më 18 prill dhe se Gjuro Macut “do të ndihmojë shumë në qetësimin e tensioneve”.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi më 7 prill se Macut tregoi guxim të madh që pranoi të udhëheqë Qeverinë “në një moment kaq sfidues”.

Ajo shtoi se kandidati për kryeministër “e ka dëshmuar me jetën e tij” se është dikush që mëson shpejt dhe është i gatshëm të punojë me përkushtim.

“Ajo që na nevojitet më shumë është të kemi një person të qetë, të matur, dikë që është njeri i dialogut”, tha Bërnabiq, duke theksuar se beson që ai do të jetë kryeministër i shkëlqyer.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), Dragan Gjillas, vlerësoi se emërimi i një mjeku pa përvojë politike si mandatar “përfaqëson përpjekjen e Aleksandar Vuçiqit për të fituar kohë për të qëndruar në pushtet”.

Në një deklaratë me shkrim, ai theksoi se Gjuro Macut “ka nënshkruar më herët mbështetje për listën e Partisë Progresive Serbe dhe ka folur në mitingje partiake”, dhe se ai është “edhe një tjetër zbatues i bindur i vullnetit” të Vuçiqit.

“Një Qeveri e tillë e Serbisë do të jetë edhe një formë tjetër e pushtetit absolut të Vuçiqit, e privuar nga legjitimiteti, kontrolli dhe përgjegjësia”, vlerësoi lideri i SSP-së.

Kryetari i Partisë së re Demokratike të Serbisë (NDSS), Millosh Jovanoviq, tha se emërimi i Gjuro Macut është “ndërrim i ekuipazhit në Titanikun” që drejtohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Është e qartë se një Qeveri e tillë nuk do të mund të shmangë përmbytjen, e aq më pak të zgjidhë krizën e thellë politike dhe shoqërore në të cilën ndodhet Serbia”, deklaroi Jovanoviq.

Partia opozitare Serbia Qendrore vlerësoi më 6 prill se për qytetarët e Serbisë është plotësisht e parëndësishme nëse në krye të Qeverisë është mandatar Gjuro Macut, kryeministri aktual Millosh Vuçeviq apo ish-kryeministrja Ana Bërnabiq.

Në deklaratën e saj, kjo parti thekson se “për të gjithë është e qartë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është drejtuesi i vërtetë”.

Grupi joformal i intelektualëve “ProGlas” vlerësoi se emërimi i mandatari dëshmon se presidenti i Serbisë ka marrë vendim “për një qeveri të vazhdimësisë”.

Akademiku i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), Vlladimir Kostiq, tha më 7 prill në tryezën e rrumbullakët të “ProGlas” se muajt e fundit “të gjitha grupet shoqërore janë mbledhur për të shprehur mospajtimin me gjendjen në Serbi”.

“Sipas të dhënave të organizatës joqeveritare CRTA, vetëm javën e kaluar janë mbajtur 452 protesta dhe 128 tubime. Përkundër gjithë kësaj, presidenti ka vendosur të mos dëgjojë dhe të mos flasë për kërkesat e shumicës shoqërore, por ka marrë vendim për një qeveri të vazhdimësisë. Ne nuk e pranojmë këtë politikë të vazhdimësisë”, tha Kostiq, njëri nga iniciatorët e “ProGlas”.

Presidenti i Serbisë më herët ka mbajtur konsultime me partitë parlamentare për mandatarin e Qeverisë së re, të cilat kanë filluar më 2 prill.

Opozita parlamentare kishte paralajmëruar më parë se nuk do të marrë pjesë në ato konsultime. Ata kishin propozuar formimin e një qeverie kalimtare, gjë që është refuzuar nga përfaqësuesit e pushtetit.

Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend verifikuan dorëheqjen e Vuçeviq nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit prej 30 ditësh për formimin e qeverisë së re.

Vuçeviq kishte dhënë dorëheqje një muaj e gjysmë më herët, pas sulmit të aktivistëve të Partisë Progresive Serbe ndaj një grupi studentësh që kishin bllokuar punën e fakultetit në Novi Sad.

Rënia e Qeverisë së Serbisë që udhëhiqej nga Millosh Vuçeviq ndodhi në kulmin e protestave kundër regjimit, të cilat po i udhëheqin studentët që nga fundi i nëntorit 2024 kanë bllokuar dhjetëra fakultete në të gjithë Serbinë.

Në qendër të kërkesave të tyre, të paraqitura ndaj institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar. REL