Reagimet e BE-së, deklarohet Haxhiu: Vonesat e Kushtetueses janë të pazakonta
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e quan të pazakontë vonesën e Gjykatës Kushtetuese për trajtimin e ligjeve duke thënë se kjo gjykatë ka pasur vonesa deri në 16 muaj për raste të caktuara. Këto deklarime ministrja Haxhiu i bëri pas shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve teksa u pyet mbi reagimin e Zyrës së Bashkimit…
Lajme
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e quan të pazakontë vonesën e Gjykatës Kushtetuese për trajtimin e ligjeve duke thënë se kjo gjykatë ka pasur vonesa deri në 16 muaj për raste të caktuara.
Këto deklarime ministrja Haxhiu i bëri pas shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve teksa u pyet mbi reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë se Gjykata Kushtetuese nuk duhet nënshtruar presioneve politike si institucion i pavarur.
Haxhiu përmendi disa nga ligjet dhe reformat që kanë ngecur si pasojë e vonesave nga Kushtetuesja.
“Sa i përket vonesave dhe neglizhencave që Gjykata Kushtetuese po ua bënë reformave tona në drejtësi, është tejet e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të respektojnë ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Ju ftoj ta lexoni edhe ju ligjin sepse aty ka afate, në kuptim që e detyrojnë Gjykatën Kushtetuese për t’i trajtuar lëndët pranë saj. Vetëm sa i përket reformave që Ministria e Drejtësisë i ka adresuar edhe Ligji për Byronë edhe reforma në këshillimin prokurorial që ende është duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese edhe vonesat në amendamentet kushtetuese për vettingun, ligji për çmimet tavan dhe pagën minimale dhe të tjera, kanë pasur vonesat e shumta. Madje, ka pasur raste deri në 16 muaj, është e pazakontë. Ne kemi pasur takime edhe me shumë homologë tanë dhe kemi pyetur se si funksionin Gjykata Kushtetuese atje dhe nuk kemi gjetur asnjë rast të vetëm që Gjykata Kushtetuese vonon ligjet sikur i vonon kjo këtu”, tha Haxhiu.
Haxhiu arsyetoi reagimet dhe qëndrimet e partisë në pushtet kundrejt Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se kjo gjykatë në vazhdimësi ka penguar reformat.
“Prandaj, duke qenë që Gjykata Kushtetuese në vazhdimësi i ka vonuar reformat, i ka penguar reformat tona, natyrisht që duhet të kemi qëndrime publike për këtë. Duhet ta themi qëndrimin dhe mendimin në raport me këto vonesa”, potencoi Haxhiu.