Ratifikimi i anëtarësimit në Bordin e Paqes në pritje të Kuvendit

Kosova është zyrtarizuar tashmë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Megjithatë, për t’u përmbushur në tërësi procesi, Kuvendi duhet ta ratifikoj këtë anëtarësim. Mirëpo puna e deputetëve të Kuvendit tashmë është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të çështjes së zgjedhjes së Presidentit. E përtej afateve, ratifikimi i kësaj marrëveshje, sipas profesorit Dashamir Bërxhulli,…

Lajme

22/03/2026 11:00

Kosova është zyrtarizuar tashmë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.

Megjithatë, për t’u përmbushur në tërësi procesi, Kuvendi duhet ta ratifikoj këtë anëtarësim.

Mirëpo puna e deputetëve të Kuvendit tashmë është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të çështjes së zgjedhjes së Presidentit.

E përtej afateve, ratifikimi i kësaj marrëveshje, sipas profesorit Dashamir Bërxhulli, është një test i rëndësishëm për seriozitetin e Kosovës.

“Kriza politike në këtë aspekt, domethënë ndikon në marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në një kuptim humbet besueshmërinë Kosova në raport me partnerët ndërkombëtarë. Dhe do të ishte mirë që këto lloj marrëveshjesh të ratifikoheshin, në mënyrë që Kosova të mbajë rolin që i takon në skenën ndërkombëtare dhe rrjedhimisht të rrisë besueshmërinë te partnerët tanë që na mbështesin dhe na rrinë afër në shumë aspekte domethënë, të konsolidimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës”, thotë njohësi i çështjeve politike, Dashamir Bërxulli për Tëvë1.

Mosratifikimi i marrëveshjes, profesori Bërxhulli thotë se do t’i shkaktonte shumë humbje Kosovës.

“Partnerët presin që ne të kemi institucione stabile dhe të kemi një klasë politike e cila di të bëjë marrëveshje atëherë kur duhet, ndahet në pjesën e politikave dhe ofertës që i bëjnë votuesit, por nga ana tjetër kur merr angazhim ndërkombëtar, ajo i respekton ato. Në këtë aspekt besoj që Kosova humb shumë si perceptim dhe realisht domethënë rrit dyshimin se Kosova në momente të caktuara nuk i ndërmerr hapat e duhur që të qëndrojë si partnere e barabartë në tavolinën e shteteve demokratike”, thotë ai.

Për shkak se anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes i duhet edhe drita e gjelbër e Kuvendit, politologu Dorajet Imeri vlerëson se Presidentja Osmani nuk I bëri llogaritë mirë, kur vendosi që me dekret ta shpërndaj Kuvendin.

“Prandaj, në kuptimin e mosdakordimit, pasojat do të ishin se Kosova fillimisht ose më saktë Z. Osmani  s’i ka bërë parashikimet e duhura se sa është e gatshme Kosova t’i marrë këto obligime ndërkombëtare, por nuk besoj që do të arrijë deri tek kjo, si të themi, situatë. Unë besoj që Kuvendi do të mund ta ratifikojë këtë marrëveshje”, shprehet Imeri.

Bordi i Paqes kryesohet nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili e konsideron atë si një trup të ri për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.