Ratcliffe dhe Rubio në Trump 2, emrat e administratës së re amerikane që u mirëpritën në Kosovë
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përcjellë me një interes të jashtëzakonshëm në Kosovë. Kjo jo vetëm për shkak të pro-amerikanizmit dhe aleancës së fuqishme që ekziston mes dy shteteve, por edhe për faktin se qeveria që është duke drejtuar aktualisht Kosovën ka pasur një rekord tepër të keq të raporteve me…
Bota
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përcjellë me një interes të jashtëzakonshëm në Kosovë.
Kjo jo vetëm për shkak të pro-amerikanizmit dhe aleancës së fuqishme që ekziston mes dy shteteve, por edhe për faktin se qeveria që është duke drejtuar aktualisht Kosovën ka pasur një rekord tepër të keq të raporteve me kandidatin republikan për president, Donald Trump.
Pas përfundimit të procesit të votimit dhe fitores së thellë të Donald Trump përballë Harris, politika dhe opinioni publik në Kosovë ishin trazuar njëjtë sikurse në të gjithë botën, meqë Trump konsiderohet si një politikan i paparashikueshëm.
Në Kosovë po pritet me ngulm se çfarë pozite do të marrë në administratën e Trump, ish-emisari Richard Grenell, për shkak të asaj që ka ndodhur gjatë kohës që ai ka qenë i përfshirë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Grenell ka pasur raporte të këqija me Albin Kurtin në qeverinë e tij të parë.
Ndërkohë derisa ende s’dihet për fatin e Grenell, nëse do të jetë Sekretar Shteti ose jo, emrat që Donald Trump ka emëruar deri tani janë tepër shpresëdhënës për Kosovën dhe vendosjen e raportit të ardhshëm me administratën e re amerikane, për shkak të raportit dhe ndërveprimit të mëhershëm që kanë pasur me shqiptarët dhe me Kosovën.
Nominimi më i freskët është ai John Ratcliffe për drejtor të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane. Ractliffe është një nga njerëzit e besuar të Trump, që gjatë mandatit të parë ia kishte besuar pozitën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.
John Ratcliffe ka lidhje të forta me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njihet si përkrahës i pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe çështjes shqiptare në Ballkan.
Në vitin 2016, Ratcliffe kishte marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare.
Një emër tjetër që po përfolet për të marrë pozitën e Sekretarit të Shtetit është edhe Marco Rubio, gjithashtu një politikan republikan me një historik të mirë të raporteve me shqiptarët dhe me njohuri tepër të thellë për Kosovën.
Gjatë viteve të 90-ta, Rubio kishte punuar ngushtë me Bob Dole, një mik i madh i popullit të Kosovës, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Rubio gjithashtu në një deklaratë sa kishte qenë senator kishte thënë se ushtria amerikane në vitin 1999 kishte ndaluar spastrimin etnik në Kosovë.
“Forcat e armatosura amerikane kanë qenë një nga forcat më të mëdha në botë në shekullin e kaluar. Ata ndaluan nazizmin dhe komunizmin dhe të këqijat e tjera si spastrimi etnik nga serbët. Ato ndihmuan demokracitë e lindjes nga Gjermania në Irak. Ata kanë ndihmuar dhe kryer misione të panumërta për vendin tonë”, kishte thënë Rubio.
Rubio gjithashtu në vitin 2018 kishte takuar atë kohë presidentin Hashim Thaçi. Siç kishte njoftuar atë kohë presidenca, në takim me senatorin amerikan ishte diskutuar edhe për trasnformimin e FSK-së në ushtri dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE-ja dhe OKB-ja në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë si nga republikanët, ashtu edhe nga demokratët”, kishte thënë Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë periudhës parazgjedhore dhe pas zgjedhjeve është treguar shumë i rezervuar sa i përket formulimeve rreth raportit me SHBA-në e Trump. Kurti para se të mbaheshin zgjedhjet në SHBA kishte thënë se si kryeministër do të bashkëpunoj me të gjithë. Ndërkohë i pyetur së fundi duke folur për raportin që Trump ka me liderët e rajonit dhe për një telefonatë që Vuçiq ka thënë se e ka zhvilluar me presidentin e zgjedhur amerikan, Kurti ka thënë se ka raporte zyrtare me secilin president të SHBA-së
“Kush i ka raportet më mirë, unë nuk e di këtë gjë, nuk mund ta them tani. Ne duhet të punojmë me çdo administratë pa marr parasysh se cili kandidat. Këtë e kemi traditë që na kanë sjellë SHBA-të”- ka thënë Kurti, duke përmendur delegacionet amerikane që kanë ardhur në Kosovë gjatë periudhës së viteve 80-ta dhe 90-ta me përbërje nga demokratë dhe republikanë.