Rasti në Agjencinë Kadastrale: Avokatja Majlinda Sadikaj konfirmon se Bashkim Shaqiri do të mbrohet në procedurë të rregullt

Avokatja Majlinda Sadikaj ka bërë të ditur se klientit të saj, Bashkim Shaqiri, zyrtar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, nuk i është caktuar masa e paraburgimit pas aksionit të zhvilluar nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës. Përmes një postimi publik, Sadikaj tha se Shaqiri do të mbrohet në procedurë të rregullt dhe se mbetet e…

Lajme

07/05/2026 22:38

Avokatja Majlinda Sadikaj ka bërë të ditur se klientit të saj, Bashkim Shaqiri, zyrtar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, nuk i është caktuar masa e paraburgimit pas aksionit të zhvilluar nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës.

Përmes një postimi publik, Sadikaj tha se Shaqiri do të mbrohet në procedurë të rregullt dhe se mbetet e bindur në pafajësinë e tij, transmeton lajmi.net.

“Bashkim Shaqirit, zyrtar në Agjencionin Kadastral të Kosovës i ndaluar dje nga prokuroria, të cilin e përfaqësoj, nuk i është caktuar masa e paraburgimit nga gjykata dhe do të vazhdojë në procedurë të rregullt”, ka shkruar ajo.

Avokatja shtoi se pret që pafajësia e klientit të saj të dëshmohet gjatë procesit gjyqësor.

“Besimi ynë në pafajësinë e tij është i palëkundur dhe presim që kjo të vërtetohet në këtë procedurë”, deklaroi Sadikaj.

Ajo theksoi gjithashtu se trajtimi i zyrtarëve shtetërorë duhet të bëhet me integritet dhe me respektim të sigurisë juridike.

“Trajtimi i zyrtarëve të shtetit duhet të bëhet me integritet dhe me ruajtjen e sigurisë juridike, në mënyrë që të garantohet ushtrimi i autorizimeve të pozitës zyrtare pa frikë dhe presion”, u shpreh ajo.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj pesë personave të ndaluar në aksionin e realizuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në disa lokacione të tjera, duke u caktuar atyre masën e paraqitjes në stacion policor.

Aksioni u zhvillua nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në kuadër të hetimeve për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”./lajmi.net/