Rasti i aktivistit të VV-së, nisin hetimet për mbrojtjen e afërt të Presidentit

Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë bërë të ditur se janë duke trajtuar incidentin në lidhje me veprimet e oficerëve të mbrojtjes së afërt të Presidentit të Kosovës.

Lajme

04/06/2020 13:47

“Si Prokuroria ashtu edhe Inspektorati Policor trajtojnë shumë seriozisht çdo pretendim të sjelljes së kundërligjshme dhe do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në njoftim, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, Prokuroria e Shtetit dhe IPK-ja u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që mund të posedojnë informacione shtesë lidhur me këtë rast t’i përcjellin të njëjtat duke siguruar konfidencë të plotë me rastin e trajtimit të tyre dhe duke siguruar publikun që do të vazhdohet me hetimin e këtij rasti me gjithë seriozitetin që e meriton.

Veron Hasani ka hapur rast penal ndaj truprojave të presidentit Hashim Thaçi, pasi këta të fundit e ndaluan të hynte në oborrin e Kuvendit ku po mbahej një konferencë për media.

Në orët e vona të mbrëmjes avokati Tomë Gashi, ka bërë të ditur se Veron Hasani ka hapur rast penal ndaj truprojave të Thaçit.

Ai ka thënë se klienti i tij ka pësuar dhunë si pasojë e sulmit të truprojave.

Veron Hasani nga ana e tij ka thënë se nuk ka pasur për qëllim që ta sulmojë presidentin Thaçi, por vetëm e ka quajtur me termin ‘hajn’ , pas së cilës sipas tij, i janë vënë truprojat.

Ndryshe, Veron Hasani kishte quajtur presidentin Thaçi ‘hajn’ derisa po përpiqej të hynte në oborrin e Kuvendit, pas së cilës edhe është shoqëruar nga policia, por ndaj tij, sipas avokatit Tomë Gashi nuk është hapur rast. /Lajmi.net/