Rashiq: I njoftova ambasadat për presionin e Beogradit ndaj serbëve që nuk e përkrahin Listën serbe, por nuk mora përgjigje
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se e ka informuar korin diplomatik në Kosovë për presionin që, sipas tij, po ushtrohet ndaj serbëve që nuk e mbështesin Listën Serbe. Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Rashiq tha se pas rasteve të largimeve nga puna dhe presioneve ndaj qytetarëve serbë edhe nga…
Lajme
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se e ka informuar korin diplomatik në Kosovë për presionin që, sipas tij, po ushtrohet ndaj serbëve që nuk e mbështesin Listën Serbe.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Rashiq tha se pas rasteve të largimeve nga puna dhe presioneve ndaj qytetarëve serbë edhe nga partia e tij, ka dërguar informacione te përfaqësitë diplomatike në Kosovë.
Ai tha se i ka njoftuar ambasadat për atë që po ndodh në terren, duke përfshirë, siç u shpreh, represionin ndaj qytetarëve, largimet nga puna dhe presionin politik gjatë fushatës zgjedhore.
“Krejt këto i informova te kori diplomatik. I shkrova dy faqe, që t’i informoj sa më saktë se çfarë po ndodh”, tha Rashiq shkruan Telegrafi.
Sipas tij, në komunikimin drejtuar diplomatëve ka kërkuar që të dënohet çdo formë e diskriminimit dhe presionit ndaj qytetarëve serbë.
“Ju kisha lutur që ta keni në mend se kjo është e papranueshme në botën moderne. Besoj që edhe ju, sikur ne, besoni në vlerat demokratike evropiane për votime të lira”, deklaroi ai.
Rashiq tha se, pavarësisht alarmimit, reagimi nga ambasadat ka munguar.