Raportohet se Prokuroria Speciale ka dorëzuar kërkesë gjykatës për të urdhëruar Kurtin të paraqitet për të dëshmuar në prokurori.

Është raportuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën që kryeministri i vendit, Albin Kurti, të paraqitet në PSRK për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore. Mësohet se kërkesa për urdhërimin e dëshmitarit të paraqitet në Prokurori për dhënie të dëshmisë është…

Lajme

18/02/2025 23:07

Është raportuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën që kryeministri i vendit, Albin Kurti, të paraqitet në PSRK për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Mësohet se kërkesa për urdhërimin e dëshmitarit të paraqitet në Prokurori për dhënie të dëshmisë është dorëzuar javën e kaluar.

Nëse Gjykata e aprovon këtë kërkesë të PSRK-së, dëshmitari Albin Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht për dhënie të dëshmisë.

Në të kundërtën, sipas ligjit, atij i shqiptohet gjobë e pas kësaj kryeministri edhe mund të paraburgoset.

Me t’u lëshuar ky urdhër, Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht në objektet e PSRK-së, por nëse nuk vepron ashtu siç kërkohet, urdhri i Gjykatës i dorëzohet edhe Policisë, e cila më pas duhet ta ekzekutojë urdhrin për ta sjellë atë për të dhënë dëshminë.

Mësohet se në rast se vendoset nga Gjykata për këtë kërkesë, veprimet procedurale do të fillojnë të merren në javën e parë të marsit.

“Kërkesa është dorëzuar javën e kaluar, është dorëzuar si kërkesë Gjykata ish dashtë me lëshu brenda këtyre ditëve. Kërkesa për urdhërimin e dëshmitarit që të paraqitet në prokurori. Nëse nuk paraqitet është mundësia me i shqiptu gjobë e mbas gjobës edhe me u paraburgosë. Albin Kurti duhet me ardhë vetë. Nëse nuk zbaton vendimin e Gjykatës, ai urdhër i ekspedohet edhe Policisë, atëherë Policia e merr dhe e ekzekuton vendimin”, kanë thënë burime të KALLXO.com.

Kryeministri i vendit është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria që të japë versionin e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore për të cilin të dyshuar janë afaristi Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

Për këtë rast e dyshuar nga Prokuroria është edhe e para e kësaj ministrie, Rozeta Hajdari, e cila ishte intervistuar në Prokurori në cilësinë e të dyshuarës.

Deri më tani Prokuroria kishte ftuar tri herë me radhë kryeministrin Albin Kurti, por ai asnjërës ftesë nuk i është përgjigjur pozitivisht.

Portali kishte raportuar kur i ishte bërë thirrja e tretë Kurtit rreth një javë para Vitit të Ri.