Raportimet për papastërti në Klinikën e Neurokirurgjisë, reagojnë nga QKUK
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka reaguar ndaj një kronike që është publikuar në lidhje me problemet higjienike në Klinikën e Neurokirurgjisë. Nga QKUK e kanë demantuar këtë kronikë, duke thënë se ajo nuk qëndron në asnjë pjesë të përmbajtjes së saj. Nga QKUK kanë thënë se pretendimet janë të njëanshme, të pavërteta dhe…

Lajme
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka reaguar ndaj një kronike që është publikuar në lidhje me problemet higjienike në Klinikën e Neurokirurgjisë. Nga QKUK e kanë demantuar këtë kronikë, duke thënë se ajo nuk qëndron në asnjë pjesë të përmbajtjes së saj.
Nga QKUK kanë thënë se pretendimet janë të njëanshme, të pavërteta dhe të ndërtuara mbi deklaratat e një personi që nuk përfaqëson realitetin dhe as stafin aktual të klinikës.
“QKUK, sqaron se personi që flet në kronikë, një ish-instrumentare, ka Vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është dënuar me 6 muaj burgim, apo gjobë materiale 2 mijë e 500 euro, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e poashtu, e përfshirë në disa raste të shkeljeve të rënda disiplinore dhe ligjore gjatë periudhës së saj në QKUK.
Më datë 13 dhjetor 2023, ndaj saj është iniciuar procedurë në Komisionin Disiplinor, me kërkesë të drejtorit të Klinikës së Neurokirurgjisë dhe shefit të repartit, për dyshim të përvetësimit të 11 klipsave kirurgjikale, secila në vlerë 250 euro.
Më datë 28 mars 2023, drejtori i klinikës kishte kërkuar heqje meditjesh për shkak të neglizhencës së saj dhe 2 instrumentareve tjera, në kasetën e disqeve kirurgjikale.
Më datë 12 janar 2024, është shtypur vendimi për pezullim dhe procedurë administrative ndaj saj, deri në Vendin Gjykatës.
Më datë 16 janar 2024, drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë ka dërguar ankesë shtesë për të njëjtën punonjëse, lidhur me sjellje joprofesionale.
Më datë 18 mars 2024, QKUK ka marrë konfirmim nga Policia e Krimeve Ekonomike se lënda ndaj saj është dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Pas ankesave të përsëritura, më datë 14 nëntor 2024, ajo është transferuar si instrumentare në Klinikën e Ortopedisë.
Më datë 21 gusht 2025, QKUK, ka pranuar vendim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes të cilit, e njëjta dënohet me 6 muaj burgim, apo me zëvendësim të dënimit me gjobë materiale prej 2,500 euro.
Më datë 8 tetor 2025, ajo është transferuar në Klinikën e Pediatrisë si infermiere për përgatitje të qumështit për foshnje, ku, sipas raportit zyrtar të klinikës, është konstatuar si e parregullt në punë dhe me sjellje problematike”, ka njoftuar QKUK.
Nga QKUK kanë thënë se këto të dhëna janë të dekomentuara dhe të verifikueshme nga organet kompetente.
“QKUK, thekson se Klinika e Neurokirurgjisë është një nga klinikat më të avancuara në vend, ku janë investuar miliona euro në pajisje moderne mjekësore, përfshirë mikroskopin neurokirurgjikal të gjeneratës së fundit dhe renovimin e plotë të bllokut operativ me dy salla bashkëkohore. Falë këtyre investimeve dhe profesionalizmit të stafit, me qindra operacione komplekse janë kryer me sukses, duke reduktuar ndjeshëm referimin e pacientëve jashtë vendit. Gjendja higjieno-sanitare dhe standardet profesionale në klinikë janë vlerësuar pozitivisht nga Inspektorati Sanitar dhe IKSHPK, të cilët në raportet e tyre nuk kanë evidentuar ndonjë shkelje apo problem”, thuhet në reagim.
QKUK ka thënë se siguron të gjithë pacientët se shërbimet në Klinikën e Neurokirurgjisë janë të sigurta, profesionale dhe me cilësi të lartë, ndërsa nuk do të tolerojë dezinformata që dëmtojnë reputacionin e institucioneve shëndetësore dhe besimin e qytetarëve.
Ky reagim ka ardhur pas raportimit të KiksKosova se një ish-punonjëse e Klinikës së Neurologjisë ka raportuar për papastërti ekstreme në këtë Klinikë. /Lajmi.net/